Lena: Mjaft gabuam, momenti që Teuta të kthehet te fitorja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2017 | 10:43

Lena: Mjaft gabuam, momenti që Teuta të kthehet te fitorja

Teuta e ka përgatitur në qetësi duelin me Luftëtarin që çel fazën e dytë të Superiores. Rezultatet e fundit janë hedhur pas krahëve dhe durrsakët janë fokusuar tërësisht te kjo përballje me synimin e vetëm për t’u kthyer te fitoret. Kapiteni Nijaz Lena, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, vlerëson gjirokastritët, por theksoi se ka ardhur momenti të kthehen te fitorja.

Lena

Për kapitenin Lena, si ka ndikuar ndërprerja e kampionatit te Teuta dhe a ju ka shërbyer për t’u kthyer më të fortë?

Këto ditë normalisht kanë qenë të nevojshme për ne dhe kanë ndikuar mirë në skuadër për të sjellë një frymë tjetër. Kemi pasur kohë për të përmirësuar gabimet që kemi bërë dhe besoj se gjithçka ka shkuar mirë.

Luftëtari ka pësuar ndryshime, si është përgatitur kjo ndeshje?

Ata kanë marrë një trajner tjetër, që është për t’u vlerësuar si nga ana njerëzore, ashtu edhe në aspektin profesional. Ne e kemi përgatitur me shumë kujdes këtë ndeshje, jemi të motivuar për të dhënë maksimumin në fushë me qëllimin për të fituar.

Ku jeni fokusuar më shumë gjatë këtyre ditëve në stërvitje?

Kemi punuar për të përmirësuar gjithçka, por sigurisht më tepër jemi përqendruar aty ku ekipi ka shfaqur dobësi në fazën e parë.

Lena

Magani ka thënë që beson shumë te ju, po grupi a beson te vetja?

Kjo është shumë e rëndësishme për ne që të kemi besimin e trajnerit dhe drejtuesve. Ndaj, ne duhet ta tregojmë në fushë dhe them se trajneri ka të drejtë për këtë që mendon. Edhe ekipi nuk e ka humbur besimin, pavarë- sisht fazës së parë. Kemi edhe shumë ndeshje përpara ku duhet të japim më të mirën në fushë.

Çfarë duhet të bëjë skuadra sot në fushë për t’u kthyer te fitorja?

E para nuk duhet të përsërisim gabimet që kemi bërë deri tani dhe patjetër që duhet të japim më të mirën tonë. Duhet të fitojmë dhe për ata tifozë, që na vijnë dhe na mbështesin në çdo ndeshje, në shtëpi apo në transfertë. E kemi detyrim fitoren edhe për ata.

Jeni ekipi i tretë që ka shënuar më shumë këtë edicion, por gjithashtu keni pësuar më shumë së bashku me Lushnjën. Pse ndodh ku zhbalancim?

Fakti që kemi shënuar në çdo ndeshje është diçka pozitive për ekipin. Tani duhet të jemi më shumë të përqendruar për të mos pësuar dhe na duhet shumë agresivitet për të arritur ta mbajmë portën të paprekur.

Jeni në vendet e fundit në klasifikim. Sa e vështirë do të jetë rikthimi te kreu, pasi trajneri Magani dëshiron Europën?

Patjetër që do të jetë e vështirë për t’u afruar me vendet e para, por janë shumë pikë në lojë, kështu që fazën e dytë duhet të marrim më shumë pikë dhe nuk duhet të gabojmë për t’u afruar me vendet që të çojnë në Europë.

Drilon Xhepollari

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"