Lena: Magani trajner i madh, ja pse e zgjodha Teutën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2016 | 10:59

Lena: Magani trajner i madh, ja pse e zgjodha Teutën

Nijas Lena shprehet optimist për aventurën e tij në Durrës. Mesfushori strugan në një bisedë me “Panorama Sport” e cilëson zgjedhjen e tij ideale, madje nuk ngurron që ta argumentojë atë. Sipas ish-lojtarit të Flamurtarit, te Teuta ai do të gjejë qetësinë.lena “Teuta është një grup që në përbërje ka elementë të rinj, por ajo çka më shton optimizmin është pikërisht fakti që këta futbollistë e gjejnë veten si pjesë të një familjeje të madhe. Fryma që ka ky ekip është produkt i drejtuesve dhe pa dyshim që nga unë vetëm fjalë të mira do të dalin nga goja.

Stafi teknik pastaj nuk ka nevojë për fjalë, Magani është një ndër trajnerët më të mirë në Shqipëri. Është njeri mbi të gjitha, pastaj tejet punëtor dhe profesionist. Është nder për çdo lojtar që të vihet nën urdhrat e tij. Kam shumë pak që jam bërë pjesë e durrsakëve, por më ka mjaftuar që të kuptoj se ka qetësi dhe e gjithë kjo vjen prej presidentit Hasanbelliu.

Tani nuk më mbetet gjë tjetër veçse të integrohem me skuadrën dhe të jap maksimumin. E rëndësishme për mua është që të jem në formë të mirë dhe t’i shërbej grupit dhe trajnerit atëherë kur do të jetë e nevojshme. Si profesionist që jam, nuk dua të bëj premtime, ndaj gjithçka do t’ia lë fushës. Besoj se ky ekip do të vijojë me të njëjtin ritëm.

Jo më kot renditen në vendin e tretë, pasi ka bërthamë, kualitete dhe dëshirë për të fituar, por mbi të gjitha kanë një staf që i karikon dhe që i mban me këmbë në tokë. Di që skuadra ime ka objektiv vetëm ndeshjen e radhës, ndaj edhe unë me këtë filozofi do të vazhdoj.

Nuk mund të flasim për arritjen e finishit, thjesht do t’i marrim takimet një e nga një”, tha fillimisht mesfushori. Më tej, ai foli edhe ofertat, ndërsa rrëfen edhe motivin se përse firmosi për “djemtë e detit”. “Kam pasur disa oferta dhe të mira madje, por ajo që më bindi më shumë ishte Teuta.

Erdha në këtë ekip për një eksperiencë më të mirë, pasi e di që gjej një klub me tradita dhe kulturë futbollistike. Një klub që pa shumë bujë dhe zhurmë, arrin të befasojë gjithnjë. Ekipit të Flamurtarit i uroj fat. Por, tani e tutje më intereson vetëm ekipi për të cilin luaj”, përfundoi Lena.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"