“Lëmsh” me stadiumin/ Nuk dihet ku do luhet, pezull… Burreli-Tomori

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2021 | 21:57

“Lëmsh” me stadiumin/ Nuk dihet ku do luhet, pezull… Burreli-Tomori

“Lëmsh” me Burreli-Tomori. FSHF-ja ka përcaktuar se finalja e “play off”-it mes ekipeve që u renditën të dytat në Kategorinë e Parë do të luhet ditën e mërkurë (më 26 maj), e megjithatë nuk dihet ende se ku. Arsyeja e qartë: Nuk ka stadium të lirë. Plani fillestar ka qenë mes kryeqytetit dhe Durrësit, por rishtas është hedhur si variant edhe Elbasani. Kur dihet që java e fundit e Kategorisë Superiore do të zhvillohet në mesjavë, ka krijuar kolaps.

Burreli

Në “Niko Dovana” Teuta pret Apoloninë, në “Elbasan Arena” pritet që të luajë Kukësi me Kastriotin dhe si variant mund të mbetet vetëm kryeqyteti. Derisa Tirana mund të presë Skënderbeun në “Air Albania”, ndoshta matjanët dhe beratasit do të zhvendosen në “Selman Stërmasi”. Megjithatë, fjala e fundit i takon federatës. Ditën nuk e spostojnë dot, pasi fituesja e kësaj finaleje do të masë më tej forcat me të 8-ën e elitës dhe qëllimi është që të kenë kohë të njëjtë për t’u përgatitur.

BURRELI – Burreli vazhdon përgatitjet për Tomorin, finale që do ta luajë të mërkurën. Matjanët do t’i bëjnë llogaritë me mungesa në këtë duel, ndërsa aktualisht janë të padisponueshëm dy lojtarë. Në formacionin kryesor nuk do të jetë kapiteni Taulant Sefgjinaj (që është i dënuar nga Komisioni i Disiplinës me 8 ndeshje) dhe Uendi Vecaj (për shkak dëmtimi).

Gjithsesi, stafi mjekësor po punon maksimalisht që të paktën të jetë në pankinë më 26 maj. Lajmi i mirë është rikthimi i dy mbrojtësve të krahut, Fabio Hasa dhe Mark Doda. Ata nuk luajtën javën e fundit me Dinamon, për shkak të numrit të kartonëve të verdhë. Stafi teknik pohon se gjendja e pjesës tjetër të futbollistëve është mjaft e mirë dhe se optimizmi për ta kaluar këtë sfidë buron në grup.

DRITAN KURTI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"