Leksione shënjestre se si shënohet gol/ Shehi kritika mbrojtjes dhe mesfushës, ja formacionet e mundshme në Tirana-Egnatia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2021 | 11:29

Leksione shënjestre se si shënohet gol/ Shehi kritika mbrojtjes dhe mesfushës, ja formacionet e mundshme në Tirana-Egnatia

Orges Shehi u shkul veshin mbrojtësve dhe mesfushorëve të tij. Dy ditë nga ndeshja me Egnatian, trajneri i bardhebluve u mor shumë me anën taktike dhe përqendrimin e skuadrës. Si fillim, Shehi kërkoi nga ekipi sulm total dhe presion total në të gjithë fushën. “Dua presion. Nuk duhet ta lejojmë kundërshtarin të marrë frymë. Nuk duhet të pasojmë në zonën e mbrojtjes kur jemi të mbuluar. Duhet të tregohemi të qetë dhe të kthjellët. Në asnjë moment të marrim rreziqe të tilla”, tha Shehi. Nga ana tjetër, skuadra prej dy ditësh është vënë në lëvizje për të gjuajtur portën. Bardheblutë janë vënë nga Shehi në rresht për të rregulluar shënjestrën. Jo rrallë herë Tirana ka humbur mundësinë për të shënuar gol nga goditjet e dobëta në portë.

tirana egnatia

FORMACIONI – Pas takimit që bardheblutë luajtën me Skënderbeun, ndërrimet e pjesës së dytë, Toli për Toshevskin dhe Najdovski për Behiratçen dhanë rezultat. Me këtë logjikë, Shehi do ta vazhdojë lojën duke lënë në stol maqedonasin dhe lojtarin e formuar në Afrikë. I pari pothuajse nuk u duk fare si në lojën mbrojtëse edhe atë sulmuese. Qendërmbrojtësi vuajti shpejtësinë dhe lojën pas shpine të sulmuesve, sa goli erdhi nga krahu i tij. Në kushtet që dy lojtarët kanë vuajtur, Shehi ka vendosur të ndryshojë formacion.

Me ekipin e parë kthehet edhe Visar Bekaj që nuk luajti ndeshjen e parë në Superiore, pasi sapo erdhi nga COVID-i. Në vend të tij në portë ishte Lika, ndërsa këtë javë do të jetë në katërkëndor Visar Bekaj që edhe sezonin e shkuar luajti pothuajse të gjitha takimet. Pjesa tjetër e skuadrës nuk ndryshon nga ekipi i javës së parë të Superiores. Tirana kërkon me çdo kusht që të fitojë sfidën me Egnatian dhe më pas me krutanët.

Pas ndeshjes me Kastriotin dhe dy takimeve të Kupës me Shkumbinin, Tirana pret gjashtë rrathët e “ferrit”. Si fillim, luan me Laçin në shtëpinë e vet. Më pas udhëton në Durrës për të luajtur me kampionët e Shqipërisë, vazhdon me Partizanin, udhëton drejt Shkodrës, luan me Dinamon brenda dhe në fund përballet me Kukësin. Të gjashtë ndeshjet janë pa dyshim shumë të vështira në statistika.

Të besuarit e trajnerit Gugash Magani do të luajnë nesër në kuadër të javës së dytë me bardheblutë. Gjatë gjithë javës stafi ka punuar për t’i dhënë grupit të lojtarëve tjetër motivim që pritet ta shpalosin në fushë. Në seancat stërvitore ka pasur përqendrim maksimal e është në synim që paraqitja të jetë pozitive.

Duke ditur se titullarët mbartin vlera të panumërta e të shërbejnë për përfaqësim dinjitoz ndaj tiranasve, gjatë verës luajtën në miqësore dhe kaluan dy herë në avantazh, megjithëse në fund u sigurua vetëm një barazim.

tir

egn

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"