Leksione në natyrë, Dede ndryshon stil te Tirana. Shpjegon taktikën në…dërrasë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2020 | 9:23

Leksione në natyrë, Dede ndryshon stil te Tirana. Shpjegon taktikën në…dërrasë

Çdo njeri ka të veçantat e tij. Edhe Nevil Dede ka mënyrën e tij të stërvitjes. Nëse Egbo, Ahmataj, Mema apo Ze Maria preferonin dhomat e zhveshjes për leksione dhe analiza para dhe pas ndeshjeve, Nevil Dede duket se është i lidhur shumë me natyrën dhe fushën e blertë. Trajneri ka marrë dje dërrasën e leksioneve dhe e ka nxjerrë jashtë në “Skënder Halili”.
126095343_2740716839517754_9064212306512478638_o
Numri një i stolit bardheblu ka diskutuar gjatë me lojtarët, duke u shpjeguar me hollësi si ushtrimet që do të bënin, por edhe lëvizjet taktike për kundërshtarin. Dede u ka mbajtur leksion lojtarëve jo vetëm për Vllazninë, por edhe për kohën e hapësirën dhe se si ndikojnë këta dy komponentë në ndeshjet e futbollit. Pas më shumë se 15 minutash skuadra ka filluar punën.
126130338_2740716306184474_6449240971981288964_o
FUSHA E MADHE – Një tjetër e veçantë e Nevil Dedes është fakti që ai ka vendosur skuadrën të stërvitet në fushë të madhe. I vetmi që e ka bërë deri tani këtë veprim pati qenë Julian Ahmataj. Dede sheh nga afër taktikën e skuadrës, por qëndron në fushë.

ZËRI DHE KORRIGJIMET – Është shumë e thjeshtë. Nëse Egbo vetëm muajt e fundit ngrinte ndonjëherë zërin, Dede nuk duron gabimet. Jo vetëm që e ngre, por për çdo gabim ai korrigjon edhe lojtarët më me eksperiencë. Të gjithë të barabartë para trajnerit, i cili e ka nisur me ritëm të lartë.

NDRYSHIMI – Lojtarët kanë dalë nga gjumi që i kishte kapluar. Duket qartë në stërvitje se ata kanë një ritëm tjetër. Është normale, sepse gjithmonë ardhja e trajnerit të ri kthen përqendrimin në skuadër. Ekipi është më luftarak dhe të gjithë duan të tregojnë veten në fushën e lojës.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"