Leksione në mbrojtje, Tirana do… Kupën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2018 | 14:29

Leksione në mbrojtje, Tirana do… Kupën

Tirana merr leksione në mbrojtje! Duke parë problemet në repartin difensiv, pikërisht në sfidën e fundit kundër Kukësit, gjatë kësaj jave, por edhe javën e shkuar, trajneri brazilian i Tiranës ka punuar shumë me prapavijën, si në vendosje dhe në mënyrën e lojës. Të njëjtën gjë, ai bëri edhe dje, teksa tërhoqi veçmas të gjithë mbrojtësit e skuadrës, duke u treguar se si do të qëndronin në fushën e lojës dhe si duhet të lëviznin.

tirana

Pjesa tjetër e ekipit ka punuar veçmas disa minuta, derisa mbaroi punë Ze Maria me mbrojtësit bardheblu. Gjithsesi, trajneri më pas grupin e ndau në dy skuadra, të cilat sulmonin pa pushim drejt portës, duke u alternuar me njëra-tjetrën. Nuk munguan as ironitë e brazilianit, i cili ngacmonte futbollistët që nuk shënonin me portën bosh. Pas anës taktike, ekipi provoi shënjestrën individuale me kokë e këmbë. Ze Maria prej javësh është duke u mëshuar shumë goditjeve në portë, pasi sipas tij, shënjestra e skuadrës është e hallakatur. Qartësisht, probleme ka në ajër ku goditësit e portës janë me pikatore në ekipin bardheblu.

KUPA E SHQIPËRISË – Hoze Marselo Ferreira mendon se Kupa e Shqipërisë është objektivi real i Tiranës. Edhe pse bardheblutë dhe ai vetë nuk ka hequr dorë nga kampionati dhe titulli kampion, duket se skuadrës i ka bërë me dije se objektivi më i arritshëm është Kupa. Në fakt, trajneri në fillim foli për titull (ide që nuk është zbehur), më pas për Europë dhe tani për Kupën e Shqipërisë. Trajneri, por edhe klubi janë të bindur se Tirana i ka të gjitha mundësitë që të shkojë në finalen e Kupës dhe ndoshta në realitet për të kënaqur të gjithë, trofeu i dytë i sezonit është më i arritshmi për ekipin bardheblu.

tirana

Paçka se mund të duket një trofe më i vogël dhe ndoshta Tirana është mësuar me kampionate, për Tiranën nëse nuk ndryshon rezultatet në kampionat, Kupa do të ishte barka e shpëtimit për sezonin 2018- 2019. Jo vetëm që do të merrte pjesë në Europë, por bardheblutë do të hipotekonin edhe një tjetër trofe në historinë e futbollit shqiptar. Tirana do të luajë nesër në Fushë-Krujë me Ilirinë. Takimi do të luhet në orën 16:00. Kujtojmë që sezonin e shkuar Tirana shkoi deri në çerekfinale, por u eliminua nga Kukësi. Dy sezone më parë, ekipi bardheblu fitoi Kupën e Shqipërisë, por fatkeqësisht trofeu që mungonte prej kohësh, u njollos nga rënia në Kategorinë e Parë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"