Legjendat e futbollit shqiptar, miqësore për Lekbellon në kalçeto. Tirana: Stadiumi po rikonstruktohet!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 16, 2017 | 20:47

Legjendat e futbollit shqiptar, miqësore për Lekbellon në kalçeto. Tirana: Stadiumi po rikonstruktohet!

“Tushe nuk je vetëm” ka qenë slogani që ka bërë bashkë ish-legjenda të futbollit shqiptar me fanellën e Kombëtares ndër vite apo edhe ata që kanë bërë historinë e lavdishme me klubin e futbollit Tirana. Legjenda të klubit bardheblu dhe të ekipit kombëtar janë bërë bashkë në një aktivitet për nder të Artur Lekbellos, i cili vuan një sëmundje të rëndë.

miqesore kalceto lekbello

Për disa orë, kundërshtarë dhe rivalë në të shkuarën në futbollin e luajtur, janë bërë bashkë për të kontribuuar në një aktivitet që i shkon sadopak në ndihmë një legjende si Lekbello. Jo vetëm ish-futbollistë apo ish-trajnerë, por edhe dashamirës të sportit janë bërë bashkë me kontributet e tyre në ndihmë të ish-mesfushorit të Tiranës dhe Kombëtares, Artur Lekbellos.

STADIUMI

Mirëpo, dje, në orët e mbrëmjes ka qarkulluar një zë që bënte me dije se zyrtarët e klubit kryeqytetas nuk kanë lejuar zhvillimin e këtij aktiviteti në stadiumin “Selman Stërmasi”. Kjo ka bërë që organizatorët e këtij takimi miqësor futbollistik ta zhvillonin në një kompleks privat në kryeqytet.

REAGIMI I KLUBIT

Dje, në lidhje me të gjithë zërat që kanë qarkulluar për moszhvillimin e ndeshjes në stadiumin “Selman Stërmasi”, gazeta kontaktoi klubin për të marrë një reagim mbi çështjen.

“Federata si organizatore e këtij takimi miqësor kërkoi që të luhej ndeshja në impiant. Mirëpo, me përfundimin e ndeshjes së Kombëtares Shpresa ndaj Francës, ‘Selman Stërmasi’ është në proces rikonstruksioni. Po ndërhyhet te pjesa e portave, po bëhet ndërrimi i barit në zonat e portierit, po ndërhyhet në disa pjesë të rrethimit, po ndërhyhet edhe në disa pjesë të tribunave, në mënyrë që ky impiant të jetë plotësisht gati për ndeshjet e Europës, pas shfrytëzimit gjatë gjithë sezonit.

Për këtë arsye, edhe vetë skuadra e Tiranës dje nuk ka zhvilluar stërvitje në të gjithë hapësirën e fushës, por në zona ku nuk po punohet. Si pasojë e këtij procesi, klubi ka kërkuar nga federata që të mos e zhvillojë ndeshjen në këtë impiant”, ka sqaruar për “Panorama Sport” zyra për shtyp.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"