Legjendat: Synojmë kupën e 4-t në Brazil

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 2, 2014 | 20:39

Legjendat: Synojmë kupën e 4-t në Brazil

germaniaTre gjenerata, tre kampionë bote! Gjermania pret trofeun e 4-t të gjeneratës së katërt. Në takimin e kampionëve të botës në Dyseldorf morën pjesë legjendat, kampionët e botës dhe heronjtë e Gjermanisë të 1954-s, 1974-s e 1990-s. 27 ish-kampionë ishin prezentë para 230 të ftuarve ku u takuan me “ambasadorët” e Gjermanisë në Brazil. Presidenti i Federatës Gjermane, Volfgang Nirsbah u shprehu mirënjohjen dhe i falënderoi për kontributin dhe pjesëmarrjen në këtë event. “Takimi me ish-kampionët e botës do t’i japë Kombëtares një shtysë të madhe drejt suksesit të shumëpritur. Gjithnjë ka pasur probleme para një evenimenti, prandaj ne nuk kemi pse të përhapim panik pa arsye. Kombëtarja po ecën në rrugën e duhur dhe lojtarët tanë e dinë shumë mirë misionin e 2014-s”, – nënvizoi Nirsbah. Për të inkurajuar “ambasadorët”, ish-kampionët si Horst Ekel, Bekenbauer dhe Mateus i dhanë Shvajnit fanellën me nënshkrimet e tyre. Për t’i dhënë më shumë besim Kombëtares, disa prej legjendave kanë dhënë edhe mendimet e tyre për Gjermaninë e Lëvit. Ja çfarë i urojnë Kombëtares, Bekenbauer & Co. A e fiton Gjermania kupën e 4-t të Botës?
Bekenbauer – Ikona e futbollit gjerman, kampioni i botës 1974, Franc Bekenbauer bën këtë urim për ekipin e Lëvit: “Do më pëlqente që për disa javë të shpalleshim kampion bote. Kemi qenë shumë afër vitet e kaluara, prandaj mendoj se është momenti i duhur. Tani kemi fatin ta meritojmë atë”, – nënvizoi Bekenbauer në takimin e legjendave dhe kampionëve të botës të Gjermanisë.
Sep Maier – Ish-portieri legjendar, Sep Maier deklaron se kupa është vonuar. “Trofeu është vonuar, sepse ne nuk kemi probleme me portën. Nëse Nojerit i dhemb koka, atëherë mund të marrë një tabletë”, – nënvizon me humor legjenda 70-vjeçare.
Bernd Holcenbain – Ish-kampioni i botës 1974, Bernd Holcenbain i jep kurajë Kombëtares së Lëvit, por nuk i uron Brazilin në finale. “Problemet e vogla nuk janë shqetësuese për Kombëtaren tonë. Dëmtimet nuk janë në limit. Lëvi duhet t’i sjellë në superformë dhe t’i çojë ata në finale. Vetëm nëse do përballen me Brazilin, për fat të keq do të humbin. Nëse idhulli im ishte ish-kapiteni i kampionëve 1954-s, Fric Valter, për Shvajnshtaigerin duhet të jetë Lotar Mateus”, – u shpreh 68- vjeçari gjerman.
Pierre Litbarski – “Trofeu i fundit nuk mbahet mend. Erdhi koha për një triumf. Pavarësisht problemeve, do jemi në gjendje t’ia dalim mbanë. Jam optimist dhe besoj te forcat e Lëvit”, – tha kampioni i 1990-s.
Horst Ekel – Ish-sulmuesi i kampionëve të botës 1954, Horst Hekel beson te karakteri dhe kualiteti i Gjermanisë në Brazil: “Përfaqësuesja mund të shpallet kampione bote në Brazil. Kjo gjeneratë është e përgatitur, e shpejtë, teknike dhe të gjithë luajnë futboll interesant, sidomos në sulm”, – tha 82-vjeçari.
Hans Shefer – “Kjo Gjermani më duket e pjekur për Kupën e Botës. I janë afruar shumë afër verdiktit, por nuk e kanë arritur. Dëshira ime e madhe është që më 14 korrik ata të kthehen me kupën e katërt. Shvajnshtaiger me shokët e tij s’duhet të njohin kufij. Duhet të luajnë futboll dhe të kthehen si kampionë. Kupa do ma shtonte jetën”, – nënvizoi me humor legjenda e Këlnit, 86-vjeçari Hans Shefer duke shpresuar: “Unë dua të rroj deri në 105 vjet dhe të vdes me një gotë birrë në dorë”, – përfundoi ish-kampioni i 1954-s me Gjermaninë.
Përgatiti: ENIAR IBRO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"