Legjendari Bardhyl Elezi sponsorizon ish-skuadrën për në Superiore: Lushnja favorite sepse…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 12, 2019 | 18:19

Legjendari Bardhyl Elezi sponsorizon ish-skuadrën për në Superiore: Lushnja favorite sepse…

Bardhyl Elezi ka më shumë se 10 vjet që e ka lënë futbollin e luajtur. Ishte sezoni 2008- 2009 dhe Lushnja luante në Superiore, kur ish-sulmuesi i njohur, tashmë 50 vjeç, vendosi “të varte këpucët në gozhdë”.

bardhyl elezi

Elezi është një nga personazhet më të dashur për popullin verdhejeshil dhe jo vetëm, pasi ai gëzon respekt të veçantë edhe tek Egnatia, Tomori e Bylisi, skuadra ku ka qenë lojtar dhe trajner. Të gjithë e vlerësojnë, sidomos për edukatën sportive që ish-futbollisti ka treguar në fushat e blerta.

Në një opinion për gazetën “Panorama Sport”, Bardhyl Elezi flet për Lushnjën e tij, situatën në Grupin B dhe rivalët e verdhejeshilëve. “Mendoj se janë luajtur katër javë interesante. Lushnja ka një skuadër shumë të mirë dhe në gjykimin tim është pretendente kryesore për ngjitjen në Superioren. Që javën që vjen mendoj se do ta marrë sërish kryesimin. Kam përshtypjen se rivalët e saj mbeten Apolonia dhe Besa. Në futboll ka ndodhur që skuadra të veçanta kanë bërë hapa të dyfishtë, siç është rasti i Bylisit, Korabit apo Tërbunit, por Superiorja jam i bindur se do të dalë nga Lushnja, Apolonia dhe Besa.

lushnja

Lushnjën e shoh favorite, sepse drejtohet nga një trajner profesionist si Ilir Gjyla, ka një kontigjent lojtarësh me shumë eksperiencë, por edhe një golashënues si Mikel Canka, të cilin e njoh shumë mirë, pasi kemi luajtur bashkë vite më parë. E kam pasur lojtar kur drejtoja Egnatian dhe është një sulmues me të dhëna të jashtëzakonshme për sa i përket lëvizjes dhe shënimit të golit”, është shprehur ishsulmuesi Elezi.

BYLISI – “Për sa i përket Superiores, dua të nënvizoj faktin që Bylisi është në grupin e skuadrave që kryesojnë kampionatin. Do të thotë që me punë, me dëshirë, me ambicie mund të arrish edhe në majë”, shton Elezi për një tjetër ishskuadër të tij, Bylisin. Aktualisht, 50-vjeçari punon në sektorin e të rinjve, në akademinë KF Lushnja 1930 sh.a. “Lushnja më së shumti në çdo sezon është mbështetur te futbollistët e ‘shkollës’ verdhejeshile, që është tradicionale. Ndaj ne punojmë të fitojmë sa më shumë lojtarë. Për shembull, shikoj që Basha është një mbrojtës i mirë dhe me të ardhme. Po kështu edhe Endi Gjyla është lojtar interesant dhe premtues”, përfundon Bardhyl Elezi.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"