Legjenda Zmijani: Jonuz pasionant, luhatjet janë normale. Duhet merkato urgjente për sulmin!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2019 | 22:17

Legjenda Zmijani: Jonuz pasionant, luhatjet janë normale. Duhet merkato urgjente për sulmin!

Hysen Zmijani nuk çuditet nga luhatjet e Vllaznisë, madje i kishte parashikuar ato që pa nisur ende ky kampionat. 

hysen zmijani

“Mjeshtri i merituar i sportit” mendon se këtij ekipi i është marrë maksimumi dhe për këtë përgëzon Mirsad Jonuzin për punën pasionante dhe bashkinë për mbështetjen financiare. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport” ai evidenton se mbijetesa nuk do të llogaritet, madje e sheh më shumë se të mundshme që të kapet një vend në pesëshen e parë. Ndalet edhe te merkatoja, ndërsa saktëson se ka domosdoshmëri për afrime nga porta e deri në sulm, por më urgjente sheh gjetjen e “njeriut gol”.

Që pa nisur ky sezon, keni qenë ndër të parët që i kishit parashikuar luhatjet e Vllaznisë… 

Vetë futbolli është i tillë, ku ngjitjet edhe uljet janë të pashmangshme. E rëndësishme është që skuadra të dalë sa më shpejt nga luhatjet. Të jemi të sinqertë, ekipi ka marrë më të mirën në këto takime. Nëse Vllaznia do të kishte arritur që të merrte maksimumin e pikëve, atëherë duhet që të ishte për titull. Por për të qenë të sinqertë, kjo Vllazni nuk është për të qenë pretendente për kampion. Prandaj e thashë, luhatje ka për të pasur, por rëndësi ka dhe unë besoj se kështu do të ndodhë, do të kalojnë.

E shkuara dëshmon se përtej nisjes së mirë, Vllaznia në fund rrezikon. Mund të përsëritet historia? 

Nuk mendoj. Te kjo skuadër ka frymë grupi dhe një staf teknik që punon me shumë pasion. Ky trajner ka vënë dorën e tij dhe i ka marrë më të mirën grupit. Por një “bravo” i takon edhe bashkisë për mbështetjen që i jep financiarisht.

Stafi teknik do përforcime në sulm dhe në mesin e fushës. Është kaq e domosdoshme?

Vllaznia ka nevojë për përforcime në të gjitha repartet. Ndoshta sulmi dhe mesi i fushës kanë më shumë, por ne nuk mund të themi që s’ka porta apo mbrojtja. Nuk kemi një ekip të kompletuar, që të kërkohen afrime në një apo dy pozicione. Me urgjencë duhen afruar sulmues, por edhe disa role të tjera kanë nevojë për lojtarë cilësorë. Ka domosdoshmëri për cilësi dhe jo sasi.

Ku e sheh Zmijani Vllazninë në fund të këtij sezoni, për mbijetesë apo ka mundësi për më tepër? 

Me këtë ngjeshje që kanë ekipet në renditje dhe me atë që ka dhënë ekipi, mendoj se shanset janë që të mos vuajë për mbijetesë. Do të ishte një sukses nëse do të renditej e 4- ta, ndonëse për mua do të ishte pozitiv edhe vendi i pestë. E thashë nga kjo skuadër po merret më e mira dhe shpresoj se me ndonjë ndërhyrje të mirë në merkato skuadra mund të arrijë deri në mesin e tabelës së klasifikimit.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"