Legjenda Seiti: Luftëtari u mund në fushë patatesh, skuadra ndjekë shembullin e Mançester Junajtid

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 13, 2018 | 14:42

Legjenda Seiti: Luftëtari u mund në fushë patatesh, skuadra ndjekë shembullin e Mançester Junajtid

Luan Seiti, një nga emblemat e gjalla të futbollit gjirokastrit, humbjen 0-3 me Partizanin nuk e sheh si fundin e botës. Për “Panorama Sport”, ish-sulmuesi i famshëm ka folur për këtë ndalesë të bluzinjve pas 11 rezultateve pozitive radhazi, si dhe takimin e nesërm që Luftëtari do të luajë në shtëpi ndaj Kukësit.

Luan Seiti

“Si një ish-lojtar i Luftëtarit para viteve 90-të, mendoj se një humbje ndaj Partizanit nuk ka arsye për të denigruar ecurinë pozitive të skuadrës. Asnjëherë nuk duhet të demoralizohesh nëse të mund Partizani. Me lojtarët që Luftëtari ka në organikë, i ka të gjitha mundësitë për të parë më larg. Luftëtari ka zhvilluar ndeshje shumë të mira në fusha të vështira si me Flamurtarin, Laçin, Kamzën etj,duke arritur të triumfojë.

Seiti, Kalluci dhe Braho

Ajo që më bëri përshtypje në ndeshjen e fundit është se terreni që ofronte stadiumi ‘Selman Stërmasi’, më sillte ndër mend të shkuarën e fushave që mbilleshin me patate, të ngjashme me ato të Shishtavecit të Kukësit. Nëse do të ishte një fushë më e mirë, lojtarët tanë do të hanin ‘barin me dhëmbë’, për vetë cilësitë që ata kanë”, është shprehur fillimisht ish-sulmuesi i bluzinjve.

KUKËSI – Luftëtari pret nesër kampionët në fuqi të Kukësit, që në dy fazat e para ka koleksionuar një humbje dhe një barazim. Për gjirokastritët, pavarësisht faktit se përballë kanë një kundërshtar të fortë, synimi është marrja e tri pikëve. I këtij mendimi është edhe Seiti, i cili beson se skuadra do të rikthehet te rezultatet pozitive.

“Pavarësisht ngarkesave të ndeshjeve të fundit, Luftëtari nuk duhet të lëshojë, ndryshe do të hidhte poshtë punën e mirë të nisur që nga vera e kaluar. Ekipi me lojën që bën për të arritur te rezultati i kërkuar, duhet të ndjekë shembullin e Mançester Junajtid.

partizani luftetari

Ka ikur koha e lojës së bukur të shpalosur nga Luftëtari përballë kundërshtarëve që ka kaluar. Meritë të veçantë ka trajneri Lika në sukseset e deritanishme. Mungesa e pikës referuese të sulmit, ajo e Shkurtaj, do të jetë e rëndësishme në ofensivë. Por, cilësitë e lojtarëve në dispozicion të Likës jam i bindur se do ta rikthejnë skuadrën te fitorja”, përfundoi një nga legjendat e futbollit gjirokastrit.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"