Legjenda Ruci: Të jenë 5 mijë donatorë për Flamurtarin, u shemb një “manastir”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 14, 2020 | 15:16

Legjenda Ruci: Të jenë 5 mijë donatorë për Flamurtarin, u shemb një “manastir”

Vasil Ruci jep recetën se si mund të ringrihet Flamurtari. Për legjendën e futbollit vlonjat, Flamurtari dhe klubet në Shqipëri nuk duhet që të funksionojnë me një president të vetëm. Në një prononcim për mediat lokale në Vlorë, Ruci propozon që klubi të ketë 1 mijë apo 5 mijë donatorë, duke përmendur shembullin e Barcelonës.
Vasil Ruci
Nëse nuk veprohet kështu, ish-futbollisti i shquar paralajmëron se fatin e Flamurtarit në vitet në vijim mund ta kenë edhe Partizani apo Tirana. “Unë kam formulat e mia se  si ngrihet Flamurtari, kam idenë time se si mund të zgjidhen këto gjëra. E keqja në Shqipëri është se ka presidentë. Jo! Duhet që të ketë shumë presidentë për një ekip, ose më saktë shumë donatorë. E vetmja mënyrë për të ecur përpara. Ekonomia shqiptare është e vetmja ekonomi që një president duhet të fitojë 10 milionë euro që të japë një për sportin. Ku e kemi këtë ekonomi ne në Shqipëri? Në këto kushte është e detyrueshme që të jetë me shumë donatorë. Siç ka Barcelona 30 mijë donatorë. Le të jenë në Vlorë 5 mijë veta. Është shumë kollaj për t’u administruar. Unë besoj se nëse do të ketë 5 mijë donatorë, jam i bindur 100% se do të bëhet më e mira.
flamurtari
U mblodhën miliona euro për tërmetin vetëm me telefonata, vetëm me lidhje direkte dhe jo më për futbollin që mblidhen kollaj. Kaq e thjeshtë është. Besoj se këta 5 mijë ose 1 mijë sa të jenë, pasi nuk ka rëndësi se sa janë, janë të përgjegjshëm për punën që bëjnë aty dhe janë në kontroll gjithë kohën për çdo gjë që kalon aty. Futbolli bëhet. Kështu me presidentë do të presim që vitin tjetër të bjerë nga kategoria Partizani, nëse ka lekë apo nuk ka lekë ai i Partizanit. Kështu është ekonomia shqiptare. Apo vitin tjetër do të bjerë Tirana, një vit tjetër Vllaznia. Pra, do bien të gjitha siç kanë rënë, pasi varet nga një president gjithçka, i cili nëse shkon mirë ekonomikisht, do t’i mbajë, në të kundërt do bjerë. Ke rastin më të freskët Dinamon apo Elbasanin. Formula e zgjedhur te ne në Shqipëri në këto kushte që kemi, është e keqe dhe penalizon klubet”, tha fillimisht Ruci.
fLAMURTARI2
KEQARDHJA
Me rënien e Flamurtarit nga Superiorja, Vasil Ruci mendon se është shembur një manastir. Ai i cilëson si murgj të gjithë futbollistët që kanë luajtur për kuqezinjtë dhe kanë bërë historinë e tyre me këtë fanellë. Ish-futbollisti ndien keqardhje për shkak se është një histori e tërë që nuk shembet lehtë. “E përmbledhur në dy fjalë, Flamurtari për mua ka qenë manastir. Ne kemi qenë murgj, ku të gjithë që kanë luajtur futboll në këtë manastir kanë shkruar historinë e tyre. Sot kuptohet që ky manastir është shembur. Me pak humor dhe me një anekdotë të vogël do t’i përmbledh të
gjitha. “Nxitonte një herë milingona dhe e pyet elefanti; ku shkon? Do vete për të dhuruar gjak i thotë ajo. Me kaq, e kuptoni vetë. Më vjen shumë keq që Flamurtari bie nga kategoria. Është një histori e tërë që nuk shembet kollaj. Pavarësisht se disa thonë ka rënë edhe herë tjetër, por sa herë që bie
nga kategoria u dhimbset njerëzve, u dhimbset atyre që kanë bërë histori. I dhimbset qytetit të Vlorës. Nuk është problemi që ra, problemi është si do të ringrihet”, deklaroi ish-sulmuesi.

PËRGJEGJËSIA
Në fund legjenda vlonjate “driblon” me finesë, teksa nuk dëshiron të bëjë asnjë fajtor për rrëzimin e Flamurtarit në Kategorinë e Parë. Ai e cilëson një humbje të madhe për qytetin e Vlorës, sportdashësit, por edhe elitën e futbollit shqiptar. “Për qytetin është një humbje e madhe, po ashtu edhe për futbollin në Shqipëri. Unë nuk dua që të bëj fajtorë dhe të them se kush e ka fajin, njëra palë apo pala tjetër. Për mua nuk ka rëndësi kush e ka fajin. Për mua rëndësi ka që ky qytet humbi një aset dhe kjo është e dhimbshme”, përfundon Ruci.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"