Legjenda Pele homazh Hamiltonit: Tani rrëmbe edhe titullin e tetë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2020 | 15:30

Legjenda Pele homazh Hamiltonit: Tani rrëmbe edhe titullin e tetë

Nuk ka më bukur kur sheh një “mbret” që i përulet një “mbreti” tjetër, ndonëse sferat ku ata kanë shkruar emrat e tyre me germa të arta janë krejt të kundërta. Gjithsesi, kur bëhet fjalë për sport, është e vështirë që atletët të mos nderojnë njëri-tjetrin, pas arritjeve të mëdha, siç ishin edhe 7 titujt botërorë të Luis Hamiltonit në Formulën 1.

hamilton-pelé

Dhe një ndër mesazhet që ka bërë xhiron e mediave në botë për anglezin ka qenë i Edson Arantesh do Nashimentosh, i njohur më shkurt si Pele, “mbreti” i futbollit brazilian dhe atij botëror: “Po pres me padurim të të shoh të triumfosh dhe të fitosh edhe titullin e tetë, – shkruan Pele në “Instagram”. – Komplimente Luis dhe vazhdo të luftosh për të gjithë ne. Ky djalosh më pëlqen sepse adhuron jashtë mase garat, njësoj siç bënte miku im i madh, Mikael Shumaker”.

FLAMURI DHE ÇMIMI — Pele ka qenë i apasionuar pas Formulës 1, madje ka qenë i ftuari special i Çmimit të Madh të Brazilit në raste të ndryshme. Në vitin 2002 iu besua atij detyra për të lëkundur flamurin me kuadrate, por ishte aq shumë i emocionuar sa dhe humbi pikërisht momentin e mbërritjes fituese të ferraristit Shumaker. Më pas, në vitin 2006 ishte sërish Pele, përpara nisjes së Çmimit të Madh, që i dorëzoi gjermanit një trofe për mbylljen e karrierës.

“Është një nder i madh për mua, që vij këtu si përfaqësuesi i të gjithë të apasionuarve brazilianë të Formulës 1. Mikael është një shembull i madh për gjeneratat e reja dhe nuk do të harrohet asnjëherë… E falënderoj për gjithë gëzimin që u ka dhënë personave ndër vite në botë”. Fjalë që sot mund të transferohen për Luis Hamiltonin.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"