Legjenda Braho: Gega “ringjalli” Partizanin, por Luftëtari u merr pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2018 | 20:19

Legjenda Braho: Gega “ringjalli” Partizanin, por Luftëtari u merr pikë

Sefedin Braho, “ikona e gjallë” e bluzinjve, autori i 59 golave të realizuar me fanellën e Luftëtarit në 18 vitet e karrierës sportive, njëherazi ish-futbollist i Partizanit në vitet 1972-1974, në intervistën e tij për “Panorama Sport” do të veçonte nivelin e futbollit të para viteve ’90. Gjithashtu, Braho shprehu besimin e patundur se Luftëtari do të jetë pjesë e elitës në fund të këtij sezoni, duke mos e diskutuar mbijetesën.

Sefedin Braho

Mbeteni një prej emrave të mëdhenj të futbollit gjirokastrit, por dhe më tej. Teksa ndjek skuadrën e zemrës Luftëtarin, si dhe Partizanin, çfarë emocionesh përjetoni?

Pyetje që ka vetëm një përgjigje, Luftëtari më dhemb, ndërsa Partizani më ngjall emocione. Partizani i këtij sezoni s’ka të krahasuar me atë të edicioneve të shkuara, por asnjëherë s’është Partizani i viteve kur isha pjesë e tij. Sot, futbolli është më i fortë, më i egër, por jo spektakolar. Kohët kanë e evoluar dhe futbolli i sotëm s’ka të krahasuar me atë të paraviteve ’90.

Çfarë ndryshon nga futbolli i sotëm me atë që luanit ju?

Aktualisht, luhet futboll për rezultat dhe jo për spektakël. Në çdo fushë që luaje para viteve ’90 kishte interesim të jashtëzakonshëm, para dhe pas ndeshjeve. Futbolli ishte kryefjalë e ditës. Sot njerëzit i janë larguar atij për arsye nga më të ndryshmet.

Në përballjet Luftëtari-Partizani natyrshëm që keni përjetuar emocione, pse jo dhe dëshpërim. Sot si ndiheni si një ish?

Luftëtarit i kam kushtuar vitet më të mira të rinisë, por te Partizani (1972-1974 si ushtar) mësova shumë gjëra. Aty gjeta tjetër mjedis dhe tjetër shoqëri. Mësova shumë gjëra ndryshe, si nga mënyra e stërvitjes dhe shoqërisë, por mbi të gjitha u edukova me frymën e lojtarit profesionist.

Këtë sezon kemi një Partizan ndryshe, ndërsa Luftëtari po vuan në fund të renditjes. Si e shikoni përballjen e radhës mes tyre?

Për Luftëtarin do jetë një test shumë i vështirë. Partizani i Gegës ka rikthyer edhe një herë futbollin e rreptë dhe agresiv. Skënder Gega është njohës i mirë i ambientit të kuq, ndaj dhe Partizani tashmë flet me rezultate konkrete. Me trajnerin e ri, Luftëtari ka ndryshuar shumë në mënyrën e të interpretuarit të lojës, por ka shumë për të bërë. Skuadra ka akoma nevojë për t’u përmirësuar fizikisht dhe taktikisht. Ndaj Partizanit, në opinionin tim, Luftëtarit i duhet besim, përqendrim dhe kolektivitet. Partizani ka mbrojtje të mirë dhe sulm produktiv, por s’do të thotë se është i pathyeshëm. Me dëshirë, përkushtim dhe seriozitet, në çdo moment të lojës, Luftëtari mund dhe duhet të largohet nga Tirana minimalisht me një pikë.

Me ecurinë aktuale të Luftëtarit, e çoni në mëndje mbijetesën?

Jo, kurrë! Luftëtari e ka grupin e duhur. Rikthimi i Eduart Rrocës dhe puna e të gjithëve, duke filluar nga trajneri dhe faktorët e tjerë, do të japin frytet e duhura. Luftëtari e ka potencialin e duhur për të qenë pjesë e Kategorisë Superiore në fund të sezonit 2018-2019. Me ndonjë riparim të mundshëm në merkaton e janarit, Luftëtari do t’ia dalë.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"