Legjenda shkodran tërhiqet nga bordi i Vllaznisë, tregon arsyet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2018 | 15:34

Legjenda shkodran tërhiqet nga bordi i Vllaznisë, tregon arsyet

Pas pak ditësh pritet zyrtarizimi i emrave të rinj që do t’i shtohen Këshillit Mbikëqyrës të Vllaznisë. Një ndër emrat e propozuar nga grupi i specialistëve të futbollit është edhe ai i legjendës së portës shkodrane, Paulin Ndoja.

Ndoja

NDOJA – Por, ky i fundit në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, ka deklaruar tërheqjen e tij nga kjo çështje. “Unë i respektoj të gjithë ata që më propozuan dhe menduan të isha pjesë e Bordit drejtues të Vllaznisë, por nga sot (dje) po deklaroj se tërhiqem nga ky funksion që më kanë propozuar të jem. Arsyeja që më detyroi të marr këtë vendim është angazhimi im me disa udhëtime drejt Italisë dhe Amerikës në muajt e ardhshëm për të qenë pranë familjarëve të mi.

Për këtë arsye, përderisa unë nuk do jem për muaj të tërë në Shqipëri, do ishte jo normale që të mbaja një funksion të tillë, duke mos e ushtruar detyrën që do më ngarkohej. Prandaj, e shoh të arsyeshme të tërhiqem dhe t’i liroj vendin dikujt tjetër që do të kontribuonte ndoshta më shumë sesa unë.

vllaznia

Megjithatë, siguroj të gjithë sesa herë që të jem në Shqipëri, do të jem i gatshëm të kontribuoj sipas mënyrave të mia për të mirën e futbollit shqiptar”, ka thënë Ndoja në prononcimin e tij. Në këtë mënyrë, kur Paulin Ndoja ishte planifikuar si pjesë e Bordit drejtues të Vllaznisë, tashmë me tërheqjen e tij, duhet shtuar një emër tjetër për të plotësuar numrin e kërkuar të anëtarëve të tij.

Ndërkaq, java e ardhshme pritet që të jetë vendimtare për sa i përket të ardhmes së Vllaznisë. Më 26 qershor është parashikuar që të zhvillohet mbledhja e Këshillit Bashkiak dhe aty do të vendoset çdo gjë. Pas kësaj mbledhjeje, pritet që të caktohet emri i trajnerit të ri, administratorit të ri dhe më pas të nisë puna për ndërtimin e skuadrës së kampionatit të ardhshëm. Objektivi i kuqebluve do të jetë rikthimi në Superiore.

Admir Uruçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"