Ledio Pano, mjeshtri i heshtur i penalltive që nuk gaboi kurrë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2021 | 18:42

Ledio Pano, mjeshtri i heshtur i penalltive që nuk gaboi kurrë

Ka penallti që ekzekuto hen duke marrë vrull, por ka penallti që gjuhen nga vendi. Është penalltia “alla Panenka”, por është edhe ajo “alla Pano”. E dinë shumë pak, por kjo e fundit është gjithnjë fatalisht gol. Roberto Baxho, Marko van Basten, dy Ronaldot, Frenk Lampard, Robert Levandovski, Mario Baloteli (derisa filloi t’i gabonte) dhe i fundit Zhorzhinjo, që edhe pse gaboi rrezikshëm atë të finales së Europianit kundër Anglisë, i bëri njerëzit të dashurohen me penalltinë që gjuajti ndaj Spanjës, por kjo nuk ia zbeh famën për mënyrën se si i gjuan penalltitë.

pano

Kur flitet për gjuajtjen e penalltive, pak a shumë përmenden po të njëjtët emra, të cilët kanë një përqindje saktësie që varion nga 80 deri në 90 për qind. Njëri nga më të saktit ka qenë Kuauhtemok Blanko, meksikani që gjatë Botërorit e vendoste topin mes dy këmbëve dhe pastaj kërcente. Por, penalltitë ai i gjuante në mënyrë të thjeshtë dhe i gjuante mirë. Kishte shndërruar në gol 71 penallti nga 73 që kishte gjuajtur gjithsej. Saktësia ishte 97,26%. Impresionuese, por ka edhe më mirë se kaq. Mat le Tisier, gjeniu i Sauthemptonit në vitet ’90 që mbante numrin 7 në fanellë, i cili në 49 penallti, 48 i kishte shndërruar në gol. Ai është futbollisti i kampionateve të mëdha me përqindjen më të lartë të saktësisë.

Atyre anëve, ku shpeshherë mbizotëronte mjegulla, tifozët guxuan ta pagëzonin me nofkën “Le God” (Zoti). Gaboi vetëm një penallti në 1993-shin në një ndeshje në shtëpi kundër Notingem Forestit, të cilën gjithsesi e fituan sërish me një gol të tijin. Sa për statistikë, të vetmen penallti ia priti portieri Mark Kroslej, shumë mesatar në rolin e tij, me një saktësi pritjesh prej 57%. Por ai hyri në histori si portieri i vetëm në botë, që i priti penalltinë një “snajperi” si Mat le Tisier. Pikë. Një tjetër flamur i Sauthemptonit, Riki Lambert, kishte koleksionuar 34 penallti dhe të gjitha të shënuara, por ia prishi magjinë një miqësore kundër Milanit, kur ai luante me Liverpulin. Ia priti Abiati një penallti… Kur UEFA vendosi të përcaktonte gjuajtësit më të mirë të Europës, duke përjashtuar ata që kishin gjuajtur pak në numër, Le Tisier dhe Lambert ishin dy emra që meritonin të qëndronin në krye të asaj liste.

legjendat

Por, më pas, duke kërkuar pak më shumë, del në skenë një tjetër: Ledio Pano. Është shqiptari që ka luajtur në vitet ’80-’90. U bë i famshëm në Greqi me Ksanthin, skuadër e nivelit të mesëm. Ishte i famshëm në atdhe, sepse kishte luajtur me Partizanin dhe Luftëtarin, por kishte edhe më të zotë e më të famshëm se ai, madje një ndër yjet më të mëdhenj të futbollit shqiptar ishte Panajot Pano, babai i Ledios. Panajoti ishte një “hyjni futbollistike” për shqiptarët. Nëse bën një kërkim të thjeshtë në “Google” për të, të shfaqen shumë ngjyra bardhezi dhe të bie në sy trupi i tij robust, modeli i flokëve sipas linjës komuniste dhe dukej si një harkëtar i kohëve antike. Ky pra, ishte Panajot Pano, për të gjithë i njohur si Joti, një Supermen i zbritur në Durrës (aty ka lindur në 1939). Por ndryshe nga Supermeni që fluturonte dhe të digjte me vështrimin lazer, Joti luante futboll: fillimisht si portier, ku ishte gjithashtu i zoti, dhe më pas si sulmues, ku ishte fenomenal. I votuar në mënyrë plebishitare si futbollisti më i mirë i historisë së Shqipërisë për 50-vjetorin e UEFA-s.

Pano kishte arritur që në kohët kur vendi drejtohej nga Enver Hoxha, të fuste në hartën e futbollit europian Shqipërinë e tij. Dakord, ishin pak gjëra, por ishte goli i tij në fitoren 1-0 të Partizanit kundër Torinos në Kupën e Kupave në 1968. Pano ndihmoi Partizanin që të fitonte edhe Kupën Ballkanike, turneun prestigjioz, ku merrnin pjesë skuadra nga Jugosllavia, Bullgaria, Rumania dhe Shqipëria. Ky trofe iu hoq Partizanit në vitin 1994. Ishte i gjatë vetëm 170 centimetra dhe nga fotot duket si një “bodybuilder”, kishte një kontroll shumë fin të topit dhe një gjuajtje vrastare. Mbetet ende e famshme në Shqipëri thënia e Franc Bekenbauerit pas një barazimi 0-0 në 1967 kundër Gjermanisë: “Ndoshta Pano nuk më mban mend mua, por unë nuk e harroj atë”. E thënë nga “Kajzeri”, kjo merr shumë vlerë. Ndërkaq, njeriu që e markoi në atë ndeshje, Uilli Shulz, deklaronte se “në të gjithë Gjermaninë, ndoshta as në Europë, nuk ka asnjë që ta përkëdhelë topin si ai”.

ledio pano

Presidenti i Fenerbahçes, Myslym Bej, shqiptar me origjinë, guxoi të deklaronte se Euzebio dhe Pele ishin më të mirët, por Pano ishte pa dyshim lojtari më i fortë që kishte shkelur në fushën e stadiumit të tij. Duke parë ngjashmërinë fizike, kishte nga ata që e quanin edhe “Pushkashi i Vogël”. Ai pëlqehej nga shumë klube europiane, por për shkak të izolimit, nuk mundi të linte asnjëherë vendin e tij. Në vitin 1968, kur karriera e Panajotit ishte ende në gjysmë të rrugës, lindi djali i tij, Ledio, një mesfushor ofensiv, i cili nuk do të ishte në lartësinë e talentit të babait të tij, por gjithsesi qe i aftë të krijonte një vend mes profesionistëve dhe të orientonte më të mirën e tij tek një aftësi specifike: goditjet e ndaluara, veçanërisht penalltitë. Se sa goditi realisht, nuk dihet, për shkak të statistikave jo të sakta të Federatës Shqiptare të Futbollit, por e sigurt është se po të shtojmë penalltitë e shënuara në Greqi, janë më shumë se 50 të tilla. “Zoti”, Le Tisier, nga të gjitha rastet, ku e gjeti veten duke gjuajtur nga pika e 11 metrave, gaboi vetëm një, Pano asnjë.

Ledio Pano është nga ata njerëz, që thjesht i bëjnë gjërat më mirë se të tjerët, për më tepër pa mundim të dukshëm, duke ekzekutuar gjeste që të tjerët u kushtojnë kohë dhe djersë pa fund. “Nuk e kam parë kurrë portierin. Vendosja këndin në të cilin do të godisja dhe topi shkonte aty ku duhet të shkonte”, shprehet ai. E thjeshtë, nëse je Ledio Pano. Dikush ndoshta do të thotë se portierët e kampionatit grek dhe atij shqiptar nuk janë ata të kampionatit italian apo anglez. Në fakt, UEFA ka bërë xhiron e Europës dhe një tjetër që ka goditur kaq shumë pa gabuar, nuk e ka gjetur. Natyrisht, mungesa e videove dhe statistikave krijon një atmosferë mitologjike rreth Panos, ashtu siç e krijon rreth babait të tij, nga i cili akoma më pak ka mbetur në arkiva. Por legjendat janë të gjitha të tilla, të ndihmuara nga mjegulla e kujtimeve dhe kasetat e vjetra.

leio panjo

Ky është edhe rasti i El Trinke Karloviçit, argjentinasi i panjohur, të cilit Diego Maradona i bëri homazhe, sikur të kishte parë gjithçka. E njëjta gjë ndodhte edhe me Eduard Streltsovin, rusin e pabindur, që e dërgoi Bashkimin Sovjetik në çatinë e botës dhe që në vend të kësaj, u dërgua në gulag (kamp përqendrimi). Videot e pakta të Ledio Panos tregojnë një mesfushor me një pamje rebele, flokë të gjatë dhe të drejtë, pak të shpupuritur, pak Marius Lakatus, pak Ariel Ortega. Edhe ai, si babai i tij, Joti, jetoi një nga momentet e paharrueshme kundër Gjermanisë, më 16 nëntor 1994. Me numrin 14 në shpinë dhe me flokë më “rebelë” se zakonisht, Pano në minutat e fundit, kur shifrat ishin 2-1 për gjermanët, gjuan një goditje dënimi nga gati 30 metra me një trajektore si ato të Mihajloviçit, e cila përplaset në shtyllën në të djathtë të Andreas Kopkes, i cili u hodh paksa vonë.

Për të parë diçka nga Ledio Pano, duke përfshirë penalltitë e tij legjendare, duhet të kërkosh në arkivat e futbollit grek, ku aty-këtu shfaqen ndeshjet e Ksanthit të viteve ’90, ku Pano, rreptësisht me të djathtën, gjuan një penallti, e cila rrok të dyja shtyllat dhe tund rrjetën. Dy videot e penalltive, ende të disponueshme, janë shumë të ngjashme. Njëra është e fuqishme, në gjysmëlartësi dhe e drejtuar në cepin e portës, ndërsa tjetra më e lehtë dhe më e ulët. Në një rast portieri hidhet në këndin e gabuar, në tjetrën mbetet në vend, i palëvizur. Të gjitha, 50 a më shumë goditjet e tjera, janë për t’u imagjinuar, siç mund të imagjinohet gjuajtësi më i fortë i panjohur në botë. Një epitet, që në njëfarë mënyre ngjan me atë të Roi Buçanan, një kitarist jashtëzakonisht i talentuar i viteve ’60 dhe ’70, idhull për një vend të tërë dhe i mbetur gjithnjë në limitet e rrëfenjave, që tregoheshin deri në publikimin e një dokumentari për publikun amerikan me titull “Kitaristi më i mirë i panjohur në botë”. Në Amerikë, në NBA, Xhorxh Xhervin pyetej: “Nëse jeta juaj do të varej nga një goditje për kosh, kujt do t’ia jepnit topin?” Përgjigjja e “Njeriut të Akullt” ishte: “Xhorxh Xhervin”. Po sikur të ishte penallti? (Marrë me shkurtime nga “ultimouomo.com”).

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"