Leçe në fatin e Piontekut, aty u pagëzua “Pistolero”. Polaku gati të rilindë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2019 | 22:40

Leçe në fatin e Piontekut, aty u pagëzua “Pistolero”. Polaku gati të rilindë

Në horizont është Leçe. Kushedi, mbase i sjell fat. Pikërisht Leçe, rivali të cilit një vit më parë Kristof Piontek i shënonte 4 herë në Kupën e Italisë. Në atë ndeshje polaku merrte nofkën “Pistolero”.

Piontek

Në këto kushte, e sidomos me krizën që po kalon sulmuesi (vetëm 2 gola me penallti në Serinë A), Leçe ngjason me ilaç. Kualifikimi i Polonisë në Europian ka ndikuar për mirë në humorin e 24-vjeçarit, i cili në këto eliminatore luajti 30 minuta ndaj Letonisë dhe 74 sekonda të hënën ndaj Maqedonisë. Nga kombëtarja në klub e anasjelltas, deri më sot, Piontek nuk ka pasur benefite dhe goli i fundit në aksion me Milanin daton më 19 maj (ndaj Frozinones), ndërsa me kombëtaren më 10 qershor (kundër Izraelit).

NDRYSHIMET – Sezoni aktual nuk ka nisur mirë dhe Piontek, përveç dy golave me penallti, nuk ka mundur të shënojë ende me aksion. Për ta zhbllokuar, Xhampaolo i besoi goditjen e 11-metërshave, por polaku problemin e kishte me skemën e ish-teknikut.

Piontek nuk është një lojtar klasi, por as lloji i sulmuesit që nuk e njeh portën. E vërteta, me shumë gjasa, qëndron në një rrugë të mesme, e cila është më pranë portës dhe nuk paraqet pjesëmarrje aktive në manovrën ekipore. Me Xhampaolon furnizohej pak dhe goditjet drejt kuadrateve rivale ishin me pikatore. Me Piolin, Milani do të kthehet zyrtarisht te skema 4-3-3 dhe Piontek, ashtu siç bënte vjet me Gatuzon, pret të tundë me shpesh rrjetat.

NUMRA KRIZE – Ushqimi për një sulmues janë pasimet. Vjet në të njëjtën kohë Piontek te Xhenoa prekte në zonë mesatarisht 78 topa për ndeshje. Kur mbërriti në janar te kuqezinjtë, kjo shifër zbriti në 48, teksa në shtatë ndeshjet e para të këtij sezoni prekjet janë në kuotën 43. Me rikthimin te 4-3-3-shi, Stefano Pioli shpreson të gjejë telat e duhur të sulmuesit, në mënyrë që ai të kthehet në formatin e sezonit të kaluar. Sinjale pozitive në këtë sens i jep ndeshja e Milanit ndaj Torinos.

Kuqezinjtë humbën, por të luajturit për shumicën e kohës me “tredhëmbësh” sikur i dha shenja jete numrit 9 të “Djallit”. Sa u përket ndeshjeve të tjera, ato kur ekipi luante me 4-3-2-1 ose 4-3-1-2, Piontek ishte thuajse inekzistent duke prekur fare pak topa e duke mos goditur aspak. Në fitoren e fundit, atë ndaj Xhenoas, Piontek u zëvendësua pas një pjese loje, por ardhja e Piolit e rikthen në titullar të paprekshëm dhe në horizont është Leçe. Kushedi, mbase i sjell fat.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"