“Leao i rëndësishëm, por s’do të luaj me…”, Pioli: Na duhet kreu i grupit, me Dinamon nuk është decizive

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 14, 2022 | 14:36

“Leao i rëndësishëm, por s’do të luaj me…”, Pioli: Na duhet kreu i grupit, me Dinamon nuk është decizive

Sot në 18:45 Milani do të kërkojë kreun e grupit të Championsit duke fituar ndaj Dinamos së Zagrebit. Skuadra është gati, të paktën kështu garanton në konferencën për shtyp trajneri Stefano Pioli.

PIOLI 1

Do të hidhni në fushë më të mirët apo bëni llogari edhe për Napolin?

Na duhen pikët dhe nëse shprehemi në nivelin tonë, atëherë kemi shanse të mira për fitore. Ndeshjet që nuk i kemi fituar deri më tani kanë qenë ato ku nuk kemi luajtur lojën tonë. Në çdo ndeshje mundohem të hedh në fushë formacionin më të mirë. Kemi disa mungesa, sidomos në sulm, por pretendoj vendosmëri nga të gjithë.

Sa vendimtare është kjo ndeshje me Dinamon?

Ka shumë rëndësi, por nuk e konsideroj vendimtare. Vjet patëm mundësi të kalonim turin edhe pse fitoren e parë e morëm në ndeshjen e parafundit të grupit. Sfida e radhës është një shans për t’u vendosur në krye të grupit tonë në Champions.

Në cilin aspekt i druheni Dinamos?

Që nuk humbin prej disa javësh dhe që shënojnë mesatarisht tre gola për ndeshje në kampionat. Sidoqoftë, ndaj Çelsit treguan përgatitje të lartë. Kanë të gjitha veçoritë e një ekipi që krijon telashe.

Sa ju shqetëson dëmtimi i Origit?

I shqetësuar nuk jam, megjithatë më vjen keq për djemtë që dëmtohen. Origi është nga ata që e deshëm me çdo kusht dhe uroj ta kem gati pas ndalesës së kombëtareve.

A i mungon Leao hovi cilësor në Europë?

Përmirësimi nuk njeh kufi. Në ekip kam djem të mirë dhe të gjithë janë ambiciozë. Leao po luan në një nivel të lartë nga të gjitha këndvështrimet, por duhet të vazhdojë kështu. Është një pikë referimi për ne. Çdo ndeshje ka vështirësi të ndryshme, ai do të duhet të jetë i zoti në marrjen e vendimeve të duhura.

Do të kërkoni sulmues në janar?

Deri në janar ka ende kohë. Të kemi dy mungesa në të njëjtin repart na vjen keq, sepse na mungojnë lojtarë të rëndësishëm dhe gjithashtu mundësia për të bërë rotacione. Por unë kam disa lojtarë që mund të luajnë në sulm. Tani le të mendojmë për dy ndeshjet e ardhshme.

De Ketelare mund të luajë si pykë?

Olivie është gjithmonë i lumtur që luan. De Ketelare mund ta luajë atë rol, padyshim me karakteristika të ndryshme. Nëse do të ishte e nevojshme do të ishte një zgjidhje e mirë.

Desti mund të jetë titullar kundër Dinamos?

Është gati për ta bërë. Në fakt janë të gjithë gati për të qenë titullarë. Unë do të zgjedh më të përshtatshmit.

Keni menduar të luani me tre mbrojtës duke mos pasur Leaon të dielën?

Ndaj Dinamos nuk do ta përdorim. Të dielën mund të ndodhë gjithçka.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"