“Le të tregojmë sa vlejmë”, flet mesfushori i Apolonisë: Fitojmë në Peshkopi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 15, 2022 | 18:28

“Le të tregojmë sa vlejmë”, flet mesfushori i Apolonisë: Fitojmë në Peshkopi

Apolonia shton minutazhin e stërvitjes. Me garën që po afrohet fundi, Juri Kanarsa ka shtuar ngarkesat. Italiani pret përmirësimin e lojës dhe mbi të gjitha evitimin e gabimeve.

Apolonia

Për të mos lëshuar vendin e 4-t, edhe këtë fundjavë janë të detyruar që ta mbyllin me rezultat pozitiv. Synimi është vetëm fitorja, por edhe një barazim do të ishte i pranueshëm në Peshkopi.

Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori Krisild Zoga shprehet optimist.

“Vërtet jemi të pathyeshëm në shtëpi, por duhet të tregojmë veten edhe në transferta. Në Cërrik humbëm dhe përtej mungesave, nuk ka vend për justifikim. Këtë hap të gabuar jashtë fushe, duam ta rikuperojmë në Peshkopi.

Na pret një ndeshje vërtet e fortë me Korabin, por mendoj se do marrim pikët e plota. Jemi të vetëdijshëm për vështirësinë, por përballje të tilla na motivojnë dhe karikojnë më shumë.

Sfida është shumë e hapur, sepse përballen dy rivalë për fazën ‘play off’ dhe mund të quhet një finale e parakohshme. Jemi të angazhuar plotësisht për këtë 90-minutësh, pasi ka rëndësi të madhe për objektivin tonë final.

Sado që kemi bërë mirë në kampionat, ende nuk kemi siguruar asgjë. E megjithatë, i siguroj sportdashësit tanë se do ta blindojmë vendin e katërt.

Ka rëndësi dhe është plus i madh për ne, nëse njërën nga ndeshjet shtesë e luajmë në fortesën tonë ‘Loni Papuçiu’”, përfundoi 21-vjeçari.

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"