“Le të pësonim, mjafton të shënonim më shumë”, Shkëmbi: Për Malën besoj se vendos…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2019 | 23:25

“Le të pësonim, mjafton të shënonim më shumë”, Shkëmbi: Për Malën besoj se vendos…

Trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi, ishte i ftuar në studion e “Pressing” mbrëmjen e sotme, ku veçse foli për ekipin e tij, komentoi edhe gjëndjen e kampionatit.

bledi shkembi

Shkëmbi ishte i mendimit se Partizani veproi drejt për çështjen “Mala”, ndërkohë që për ekipin e tij, u shpreh se do dëshironte që më mirë të shënonte shumë, edhe të pësonte, se sa të shënojë kaq pak e nga ana tjetër as nuk pëson.

IKJA E DRITAVE – Është e çuditshme, sepse ne na ka ndodhur 2 herë, edhe me Tiranën. Është diçka e keqe për lojtarët. Në Shkodër ishte ftohtë, dhe lojtarët ftohen. Më mirë të mos ikin më, se nuk është mirë për asnjë skuadër.

ÇËSHTJA “MALA” – Klubi ka të drejtë, ka investuar te ai. Nëse i është ofruar kontrata që në verë, duhej të merrte një vendim. Unë mendoj se nuk është Mala ai që vendos në këtë moment, por është menaxheri.

PARTIZANI – Përderisa është në vend të parë dhe me katër pikë më shumë se ekipi i dytë, mendoj se është ekip më i fortë se vjet. Ka më shumë alternativa dhe kampionati është i gjatë. Çfarëdo mungese të ketë te Partizani, nuk ka asnjë problem. Mala është lojtar shumë i mirë dhe Partizani e bën lojtar të vogël, në kuptimin figurativ. Kjo gjë tregon se kjo skuadër është shumë e fortë.

TIRANA – Juli është trajner i Tiranës, dhe unë i Teutës, nuk mund të shprehem për këtë pjesë. Secili trajner ka karakterin e tij, si i përballon situatat. Presion nuk ka vetëm Tirana, ka çdo ekip. Ka të bëjë edhe se si lojtarët sillen në fushë. Ka lojtarë që e ndajnë pjesën e klubit me trajnerin, dhe pjesën kur janë në fushë.

TEUTA – Mendoj se në fushë kam një ekip të fortë, futbollistë të rinj që punojnë mirë, dhe disa me eksperiencë që na ndihmojnë shumë. Nuk po kalojmë moment të mirë me rezultatet. Kemi bërë lojëra të mira, kemi pasur shanse, por nuk kemi fituar. Kemi problem te shënimi i golave. Nuk më vjen mirë që sulmohen vetëm sulmuesit, por të gjithë lojtarët duhet të bëjnë më shumë. Ndoshta edhe unë duhet të gjej diçka për shënimin e golave. Jemi ekipi që kemi pësuar më pak, por kemi shënuar më pak gjithashtu. Do doja të ishte e kundërta. Nuk kemi presion nga presidenti, që të thotë se po nuk fituam nuk do marrim rrogat 2 muaj. Objektiv nuk ka qenë patjetër titulli. Është të arrijmë kupat e Europës, dhe duke parë këtë kampionat të palexueshëm, po kërkojmë maksimumin. Por, kampion nuk dilet duke shënuar 7-8 gola.

MERKATO – Kam besim te lojtarët që kam. Deri tani nuk i kam kërkuar asnjë lojtar presidentit. Për sulmuesit me një gol ndryshon çdo gjë. Nëse shënojnë 3 gola për 5 javë, për ata ndryshon gjithçka.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"