“Le të përsërisim Erzenin, kërkoj mbështetjen e… popullit”, Canaj: Nuk shantazhohem nga hallet, shpëtojmë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 30, 2022 | 10:55

“Le të përsërisim Erzenin, kërkoj mbështetjen e… popullit”, Canaj: Nuk shantazhohem nga hallet, shpëtojmë!

Lushnja është gati për derbin. Pret sot në “Roza Haxhiu” Apoloninë dhe llogaritë bëhen vetëm me fitoren. Në shtëpi u ka ecur këtë vit, ndaj Agim Canaj beson se pikët do të vijnë dhe rrjedhimisht sezoni do të shpëtohet. E pranon që stresi i ka shoqëruar gjatë gjithë kohës, por qartazi e thotë:

AGIM CANAJ

“Nuk shtantazhohem lehtë”. Gjatë deklaratës së dhënë para kësaj sfide për “Panorama Sport”, ai shpreson që të zhbllokohet edhe sulmi, që prej javësh nuk po e gjen golin.

“Ndeshja është shumë e rëndësishme. Çunat tashmë e dinë dhe janë të përgatitur. Nuk ka nevojë për shumë fjalë tani. Kjo është një finale, që na hap një dritë jeshile për mbijetesën.

Në rast të kundërt, të fut ‘ethet’. Janë shumë ekipe në garë, ndaj duhet kujdes. Ajo që më jep besim është forma e ekipit dhe ana psikologjike. E di çfarë kërkoj nesër (sot)? Të përsërisim Burrelin dhe Erzenin.

E vlerësoj shumë Apoloninë për ecurinë që ka dhe renditjen, por në fund të fundit luajmë në shtëpi. Për 90 minuta të japim maksimumin. Të bëjmë këto sforco dhe mos i fusim vetes siklete në finish.

Unë nuk jam tip që shantazhohem nga vështirësitë. Jam mësuar me vështirësitë. Ne gjithë sezonin kemi qenë në këto pozicione”, tha fillimisht vlonjati, që pret të eliminojnë njëherë e mirë “play out”-in.

Te Lushnja sulmuesit kanë kohë që nuk shënojnë dhe trajneri pranon realitetin Ai shpreson që ata të zhbllokohen këtë të shtunë. “E kemi këtë problem.

Ne jemi munduar që ta gjejmë zgjidhjen edhe në forma të tjera dhe kemi kompensuar diçka edhe me një gjysmësulmues apo ndonjë mesfushor qendre.

Javën e fundit për shembull pësuam tre gola, por shënuam po aq. Kjo është një anë e mirë. Ishte puna e grupit dhe meritë e Lajthisë që diti të konkludonte kundër Vorës.

Megjithatë, le të shpresojmë që në derbi sulmuesit të lirohen dhe të shënojnë”, tha numri i pankinës lushnjare. Canaj pret mbështetjen e “popullit” verdhejeshil, që me Apoloninë ka qenë gjithnjë në nivele rekord.

“Unë nuk mund t’i them ‘hajdeni’ ose ‘mos hajdeni’. Por, e di që ata do e mbushin stadiumin dhe do të na japin zemër. Nëpërmjet tyre do të motivohemi më shumë, për të arritur misionin”, përfundoi trajneri.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"