“Le ta mbyllim në mënyrën më të mirë të mundshme”, Lautaro: Ndryshimi mes finales së Botërorit dhe asaj të Champions-it është…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2023 | 17:10

“Le ta mbyllim në mënyrën më të mirë të mundshme”, Lautaro: Ndryshimi mes finales së Botërorit dhe asaj të Champions-it është…

Lautaro Martinez ishte një nga ata lojtarë që foli në konferencën për shtyp përpara finales kundër Mançester Sitit në Champions. Sulmuesi zikaltër dhe lojtari që do të mbajë nesër shiritin e kapitenit u shpreh se kërkon ta mbyllë në mënyrën më të mirë vitin.

lautaro

Disa muaj më parë ju fituat Botërorin. Ngjashmëritë dhe ndryshimet?

Këto janë dy finalet më të rëndësishme që një lojtar mund të luajë, e vetmja gjë që ndryshon është fanella. Ndjesitë janë të njëjta, unike, të vish deri këtu është falë punës së bërë gjatë vitit. Grupi është gjëja më e rëndësishme. Jemi në hapin e fundit, duhet të jemi gati për këtë ndeshje.

Si përgatiten ndeshje të tilla, nga ana emocionale dhe taktikale?

E dimë që Mançester Siti është një rival tepër i vështirë për t’u përballur, për shkak të kualitetit që ata kanë. Por ne jemi gati, kemi bërë punën tonë dhe jemi gati të bëjmë më të mirën.

Keni folur me Julian Alvarezin?

Jo, nuk kemi kontaktuar me njëri-tjetrin. Së fundmi unë u martova dhe e ftova atë, por ai nuk mundi të vinte.

Është ky viti më i mirë në jetën tuaj?

Sigurisht, ne gjithashtu kemi arritur shumë objektiva me Interin. Kisha mundësinë të luaja në finalen e Kupës së Botës përpara gjashtë muajsh dhe tani do të luaj në finalen e Ligës së Kampionëve. Jam shumë i lumtur me të tashmen dhe me këtë sezon. Le të shohim nëse do ta mbyllim në mënyrën më të mirë të mundshme.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"