Laze presion trajnerëve: Jemi Elbasani, jo dosido

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 20, 2020 | 21:51

Laze presion trajnerëve: Jemi Elbasani, jo dosido

Zgjidhet situata e “jabanxhinjve” të El basanit, të cilët jetojnë në një zonë të kuqe si Tirana. Klubi i ka pajisur me një autorizim për të mos hasur pengesa gjatë udhëtimit nga kryeqyteti në Elbasan. Kështu, ndryshe nga një ditë më parë, trajneri Lleshanaku e ka pasur të gatshëm gjithë grupin dhe ka qenë më i qetë. Duke qenë seanca e parë e plotë stërvitore, lojtarët janë marrë më shumë me ushtrime të lehta, lojëra me top dhe vrapime. Ditët në vijim pritet të luhet një miqësore me Kukësin, që stërvitet në Elbasan, në kompleksin “Pepa”.
Gjici-Laze-Takaj
MBLEDHJA – Para nisjes së stërvitjes, presidenti Arben Laze ka bërë një takim me trajnerët e akademisë së klubit dhe me ekipin e parë, duke vënë edhe ultimatume dhe duke caktuar detyra për gjithsecilin, së bashku me drejtorin sportiv Sabri Dalipi. “Sa i përket ekipit të parë, dua të shpreh besimin që kam te ju. Pandemia na zuri në vend të fundit, por jam i sigurt që në fund të kampionatit nuk do të jemi më në këtë pozicion. Ju e keni në dorë për të arritur objektivin e sezonit. Nëse keni ndonjë shqetësim, ne si klub jemi të gatshëm t’jua plotësojmë”, u shpreh fillimisht presidenti Laze.
Elbasani
ULTIMATUMI – Më parë ai vuri një ultimatum edhe trajnerëve të moshave. “Nuk më pëlqen të flas me çfarë ka ndodhur deri më tani, por këtej e tutje kërkoj maksimumin nga të gjithë ju. Siç e dini, për një ekip moshash janë nga dy trajnerë që paguhen nga klubi, ndërsa numri i sportistëve është në rënie. Nuk dua t’ju vë nën presion, përkundrazi, por deri më 15 qershor dua të kemi një rritje sportistësh, sepse nuk po flasim për një klub dosido, por për një markë si Elbasani”. Kjo ishte deklarata e presidentit Laze, i cili kërkon më shumë angazhim nga trajnerët e moshave, për më tepër që pritet të marrin pjesë në kampionatet kombëtare edhe grup-moshat U-13 dhe U-21.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"