“Lautaro Martinez e meriton 10-ën time”, rrëfehet legjenda Lotar Mateus: Barela është gjenial! Ronaldo bëri mirë që iku nga Italia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2021 | 14:07

“Lautaro Martinez e meriton 10-ën time”, rrëfehet legjenda Lotar Mateus: Barela është gjenial! Ronaldo bëri mirë që iku nga Italia

Janë dhënë çmimet “Giacinto Façhetti”, një legjendë e paharruar e Interit gjatë shekullit të kaluar. Në ceremoni nuk mund të mungonte një yll i futbollit që ka bërë shumë si me zikaltrit, ashtu edhe me kombëtaren gjermane.

Mateus

Bëhet fjalë për Lotar Mateusin, i cili në mbyllje të eventit ka dhënë edhe një intervistë për “Tuttosport”. Që nga emëruesi i çmimit e deri në gjendjen aktuale të skuadrës nuk kanë munguar komentet e 60-vjeçarit që tashmë zhvillon një rol opinionisti në atdhe.

Nëse përmendim Faketin, çfarë ju vjen ndërmend?

Një legjendë e Interit të cilin kam pasur fatin dhe nderin ta njoh. Fatkeqësisht u largua shumë herët nga kjo jetë, por nëse mora pjesë në këtë ceremoni është edhe për të respektuar kujtimin e tij dhe për të falënderuar familjen Faketi për gjërat që më ka mësuar.

10-ta dikur ju përkiste juve, numër të cilin sot e mban Lautaro…

Ai luan në një pozicion tjetër, por është gjithashtu një lojtar i madh. Luan mirë, shënon dhe ka rëndësi për skuadrën. Më duket se ka zgjedhur numrin e duhur.

A mund të shndërrohet në simbol të Interit, siç ishit edhe ju?

Futbolli ka ndryshuar shumë krahasuar me dhjetë vite më parë. Janë të gjithë lojtarë të veçantë dhe Lautaro mund të jetë një lider siç ishte edhe Lukaku. Te skuadra e Inzagit shoh shumë elementë që janë të rëndësishëm për grupin, e jo vetëm një.

Pavarësisht merkatos Interi mbetet konkurrues. A mund ta fitojë titullin?

Nuk e di. Vështirë të bësh parashikime kaq herët, aq më tepër që ka disa skuadra të cilat më duken në gjendje për t’u shpallur kampione. Napoli, Interi, Milani janë të gjitha me pikë të përafërta. Kampionati është i gjatë. Zikaltrit ndaj Realit të Madridit luajtën shumë mirë për 60 minuta, por nëse zhvillojnë të njëjtin volum gjatë sezonit sigurisht që mund ta fitojnë përsëri titullin.

Shumë specialistë të fushës mendojnë se Interi aktual ngjason me tuajin.

Futbolli ka ndryshuar. Edhe sistemet e lojës apo shpejtësia janë ndryshe. Sot kemi të bëjmë me një tjetër futboll.

Mendoni se ju ngjason Barela?

Është një lojtar cilësor siç e dëshmoi edhe me kombëtaren italiane. Unë shënoja më tepër mbase, por mundohesha të bëjë maksimumin me forcë dhe intensitet. Luftoja për vete, për ekipin e për tifozët.

Çfarë mendimi keni për Champions-in? Cilët janë favoritët?

Favoritët nuk i shoh në Itali. Bajerni dhe PSG-ja kanë më tepër shanse siç edhe kanë skuadrat angleze.

Pse futbolli italian ka humbur rolin në arenën ndërkombëtare?

Futbolli, politika dhe shumë aspekte të tjera kanë ndryshuar. Edhe Anglia nuk është ajo e 30 viteve më parë. Tashmë i ka marrë vendin Italisë dhe për shumë vite do të jetë numri 1. Pas dhjetë vitesh do të ndryshojnë përsëri disa gjëra, por për momentin futbolli anglez është më i miri në botë.

A bëri mirë Ronaldo që la Juven për Junajtidin?

E vlerësoj sepse nuk bëri diçka normale apo të thjeshtë. Është pjesë e kampionatit më cilësor në botë dhe ka shënuar deri tani katër gola. E kuptoj zgjedhjen e tij dhe mendoj se ka bërë mirë.

Çfarë mendoni për Super Ligën?

Nuk e komentoj dot. Futbolli nuk i përket vetëm dhjetë klubeve, por na përket të gjithëve. Tifozët italianë duhet të jenë të lumtur që kanë mundësi të shohin në kampionatin e tyre ekipe si Interi, Milani, Juve e Roma.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"