Latifi: Penalltinë ma besoi Salihi, nuk do guxoja ta gjuaja sërish. Fitojmë në Kukës dhe dalim kampionë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 6, 2017 | 22:17

Latifi: Penalltinë ma besoi Salihi, nuk do guxoja ta gjuaja sërish. Fitojmë në Kukës dhe dalim kampionë

Ishte Hamdi Salihi ai që ia besoi penalltinë në minutën e fundit Liridon Latifit. Këtë gjë mesfushori i Skënderbeut e tregoi në prononcimin pas ndeshjes për “Gol pas Goli”. Ai gjithashtu tha se nuk do të guxonte ta gjuante sërish atë penallti.

latifi1

Për penalltinë që mori përsipër

“Penalltitë i gjuan Salihi dhe të parën e gjuajti ai normalisht. Ndërsa për të dytën më pyeti nëse doja ta gjuaja dhe unë i thashë që isha i gatshëm. Ai ma besoi penalltinë dhe e mora përsipër, por kur e mendoj tani pas ndeshjes, ndoshta s’do guxoja ta gjuaja sërish.”

Për forcën e Skënderbeun në krahasim me sezonet e kaluara

“Vitin e parë kur erdha këtu ishim ekip shumë i fortë dhe i dominonim të gjithë kundërshtarët. Edhe tani në ndeshjet e fundit e kemi kapur ritmin dhe po bëjmë një punë shumë të mirë. Shpresoj të vazhdojmë kështu, duke hequr ndeshjen sot që kemi bërë shumë gabime në mbrojtje. Në ndeshjen e radhës me Teutën s’mund të bëjmë paraqitje të tillë sepse nuk na falet asnjë gabim.”

Për besimin te përmbysja gjatë ndeshjes

“Nëse them që ishim të bindur në përmbysje do gënjeja sepse mendova që e humbëm ndeshjen dhe na iku kampionati nga duart, duke qënë se e kemi vetë në duart tona për ta fituar. Megjithatë besimi ka qënë gjithnjë që nëse e bëjmë 3-3, atëherë do e kthejmë. Edhe Zoti na ndihmoi sepse dhamë shpirtin në fushë.”

Për transferimin te Genti

“Sa i përket Gentit, nuk kam asnjë informacion, nuk di gjë. Këtë pjesë ia kam lënë babait dhe menaxherit që të merren.”

Për ndeshjen direkte në Kukës

“Ne mendojmë që do e fitojmë ndeshjen e Kukësit dhe do shpallemi kampionë.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"