Latifi është i paralajmëruar! Soue: Nuk pasoi te goli, mirë që topi shkoi në rrjetë se…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 22, 2017 | 19:34

Latifi është i paralajmëruar! Soue: Nuk pasoi te goli, mirë që topi shkoi në rrjetë se…

Ali Soue debutoi me fanellën e Skënderbeut në një ndeshje delikate ndaj Dinamos së Zagrebit, megjithatë bëri një paraqitje të mirë, duke bindur drejtuesit e klubit për zgjedhjen që kishin bërë. Në një intervistë për mediat, gambiano-italiani ka treguar emocionet e takimit të parë dhe ka besim se skuadra e tij do të arrijë kualifikimin.

soue

Soue, keni debutuar zyrtarisht me Skënderbeun në ndeshjen ndaj Dinamos. Ishte gjithçka siç e prisnit?

Pa dyshim jam i kënaqur që kam hyrë menjëherë në ritmin e duhur me ekipin dhe që bëra debutimin tim në ekipin e ri. Ishte pa diskutim një ditë shumë e bukur për mua, mbi të gjitha në një kompeticion kaq të rëndësishëm është diçka e veçantë që ndodh. Jam shumë i kënaqur.

Po në lidhje me rezultatin, mund ta konsideroni pozitiv?

Sigurisht që po, një ndeshje e madhe nga të gjithë shokët e mi. Kishim mundësi ta fitonim takimin, pasi mund ta mbyllnim edhe më shpejt lojën me një tjetër gol të shënuar, por për fat të keq nuk ndodhi kështu. Pësuam atë gol në limitet e lojës dhe na vjen me të vërtetë keq, por morëm një barazim që është një rezultat me vlerë dhe, mbi të gjitha, me një gol të shënuar në transfertë. Tani do të shkojmë sikur s’ka ndodhur asgjë në ndeshjen e kthimit dhe do të mendojmë vetëm për 90-minutëshin e radhës.

soue1

Do të jetë e vështirë?

Sigurisht. Në të tilla nivele nuk ka më ndeshje të lehta, pasi janë të gjitha të vështira. Çdo ekip mendon se është i pakalueshëm për vete dhe e mendon të kalueshëm kundërshtarin. Ne do ta respektojmë në maksimum Dinamon, aq sa ai emër e meriton. Por mendoj se mund të bëjmë më shumë se një paraqitje të mirë në këtë takim.

Keni arritur të përshtateni me skuadrën, cili është “sekreti”?

Kjo është një meritë jo vetëm e imja, por mbi të gjitha e klubit, trajnerit dhe shokëve të ekipit që më kanë ndihmuar shumë. Plus kësaj, grupi ynë është fantastik, ka lojtarë shumë cilësorë dhe kjo e bën më të thjeshtë ambientimin, pasi secili di të bëjë mirë detyrën e vet dhe di të bashkëpunojë në grup. Kjo ishte më e lehtë që të hyja shumë shpejt në brendësi të ekipit.

Si ndihet Soue tashmë pas një muaji te Skënderbeu?

Shumë mirë, jam i kënaqur sigurisht, nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Ndihem mirë, pasi siç e thashë më sipër edhe shokët e ekipit janë treguar shumë të mirë. Më kanë ndihmuar në gjërat që nuk i kuptoja për shkak të gjuhës dhe ma kanë bërë më të lehtë ambientimin. Të gjithë duan të më ndihmojnë për të më bërë shpejt pjesë të skuadrës.

Soue stervitje

Gjetët golin në Zagreb, por fatkeqësisht pati një pozicion jashtë loje. Ndieni keqardhje?

Po, është e vërtetë. Kam shënuar, pavarësisht se ishte pozicion i parregullt. Kjo është e rëndësishme për një sulmues dhe shpresoj të shënoj çdo herë që do të jem në fushë. Për mua është një gol, sido që të jetë, nuk është pozicion jashtë loje, unë nuk e quaj kështu, e quaj gol dhe kjo më motivon më shumë.

Po në rastin e golit të Latifit u nxehët pak që nuk ju pasoi?

Sigurisht që po. Të flas sinqerisht, jam nxehur pak, pasi si sulmues gjithmonë është e rëndësishme që goli të bëhet lehtë dhe nuk ka rëndësi se kush e bën. Por sigurisht, në qoftë se nuk shkonte në rrjetë ai top, do të isha nxehur akoma edhe më shumë. Ishte një gol i rëndësishëm edhe për ekipin dhe normalisht që nuk do të më pëlqente të mos bëhej. Megjithatë, Latifi u tregua i shkëlqyer.

Keni edhe një ndeshje kthimi…

Them se duhet vetëm të përgatitemi mirë, siç bëmë në takimin e parë dhe të japim maksimumin në fushë dhe më pas të shohim.

Sa shanse ka Skënderbeu që të shkojë në grupe?

Unë jam një tip pozitiv, gjithmonë e shoh gotën gjysmë plot. Jemi një ekip i mirë. Në rast se jemi të përqendruar, mund t’ia dalim. Për mua, mundësitë i kemi 100% që të shkojmë në grupe.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"