“E lashë Shqipërinë, s’e kuptonin gjuhën”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 6, 2014 | 17:00

“E lashë Shqipërinë, s’e kuptonin gjuhën”

BrahimiKonsiderohej si një ndër lojtarët më me perspektivë të Shqipërisë, por atëherë kur llogaritej se kur mund të përfshihej në Kombëtaren “A”, Mërgim Brahimi braktisi kuqezinjtë. Gjithçka u konsiderua si një tradhti, sepse i riu ndërkohë e kishte veshur fanellën e kuqezinjve. Por nuk mbaroi me kaq. Disa muaj më vonë ai u pendua dhe kërkoi të rikthehej, por FSHF-ja i mbylli dyert, edhe për ta bërë shembull për të tjerët, pasi kush e refuzon njëherë Shqipërinë, nuk ka më shanse të rikthehet. Tani që është siguruar se nuk ka më asnjë shans të vishet kuqezi, ka “zbuluar” arsyen e fortë se përse nuk qëndroi me Shqipërinë: “Flisja me dialekt kosovar edhe nuk më kuptonin”, – ka thënë dje mesfushori i Grasshopersit. Në Zvicër mund ta vlerësojnë këtë, por në Shqipëri, Kosovë dhe kudo ku ka shqiptarë, nuk mundet ta besojnë kurrsesi. Pse? Thjesht sepse kuqezinjtë nga Kosova sot përbëjnë pjesën dërrmuese të Kombëtares shqiptare dhe aty çdo kosovar ndihet si në shtëpinë e tij. Nëse Brahimi nuk kuptohej me Gjokajn, Matoshin, Shalën, Nezirajn, Gavazajn, Rrahmanin, atëherë me siguri që kjo nuk ka të bëjë me dialektin…
Deklarata – Mesfushori Mërgim Brahimi ka treguar dje për uebsajtin “wohleranzeiger. ch” pse është larguar nga Kombëtarja e Shqipërisë dhe ka vendosur që të luajë për U-21 të Zvicrës. Lojtari 21- vjeçar, ndërrimin e përfaqësueses e ka arsyetuar me vështirësitë gjuhësore që ka pasur te Shqipëria. Brahimi fillimisht kishte refuzuar Kombëtaren U-20 të Zvicrës për të luajtur për U-21 të Shqipërisë. Në vitin 2012, ai kishte debutuar edhe në Kombëtaren A të Shqipërisë. Por, vitin e kaluar iu bashkua U- 21 të Zvicrës, duke hequr dorë nga Shqipëria. Brahimi, që është nga Kosova, aktualisht është duke luajtur në Kategorinë e Dytë zvicerane për skuadrën Uohlen. Te kjo e fundit është i huazuar nga Grasshopperi. Deri më tani ka luajtur në tetë ndeshje dhe ka shënuar një gol te U-21 e Zvicrës. “Unë nuk u ndjeva komod te Shqipëria. Unë jam kosovar, kam një dialekt tjetër nga shqiptarët dhe kisha vështirësi të kuptohesha”, – deklaroi kosovari Brahimi.

Gashi Shkelzen“Nuk ishte rastësi, por kurrë s’kam shënuar 4 gola”
Sulmuesi kosovar, Shkëlzen Gashi, po konfirmohet nga java në javë si lojtari i momentit në kampionatin zviceran. Me 17 gola ai është në krye të renditjes së golashënuesve, ndërsa po udhëheq Grasshopersin drejt fitoreve të njëpasnjëshme. “Ky është rezultat i punës së vështirë që kam bërë. Asgjë nuk vjen prej asgjëje. Mendoj se nuk është rastësi që kam shënuar katër gola. Nuk e mbaj mend të kem shënuar ndonjëherë tjetër kaq shumë brenda një ndeshjeje. Besoj se kjo është hera e parë për mua në futbollin profesionist”, – ka thënë kryegolashënuesi i Zvicrës. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare shënoi plot katër gola në fitore 5-0 të dielën ndaj Jang Bojsit. Pas këtij shpërthimi në elitën e futbollit zviceran, helvetët po e “vajtojnë” humbjen e Gashit, për faktin që nuk e kanë angazhuar në përfaqësuesen e tyre.

MemushajDëmtohet rëndë Memushaj, 6 muaj jashtë
Dëmtohet rëndë Ledian Memushaj. Mesfushori i Kombëtares shqiptare ka këputur ligamentet e gjurit të djathtë në ndeshjen e fundit të Karpit ndaj Peskarës dhe pas rezonancës së bërë dje në Itali, është vendosur që ai të operohet. Lojtari ishte në një formë të shkëlqyer, teksa shënoi edhe 8 gola për Karpin gjatë këtij kampionati. Tashmë ai do jetë i detyruar të qëndrojë të paktën 6 muaj larg fushave. Kjo do të ndikojë natyrisht në karrierën e lojtarit, nisur edhe nga fakti se ai ishte në orbitën e disa skuadrave të Serisë A si Palermo (e sapongjitur) dhe Sampdoria. Memushaj është në pronësi të Leçes dhe ishte i huazuar te Karpi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"