“Lash provimin e matematikës për Totenhemin”, mbledhësi i topave: Murinjo më bëri të lumtur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2019 | 10:24

“Lash provimin e matematikës për Totenhemin”, mbledhësi i topave: Murinjo më bëri të lumtur

Djali i topave që ndihmoi në golin e barazimit të Totenhemit kundër Olimpiakosit në Champions të martën, thotë se gjesti i Zhoze Murinjos ishte një nga momentet më të bukura të jetës së tij. Një nga djemtë e rinj të “Spërsave”, 15-vjeçari Kallum Hajns, luajti një rol vendimtar në golin e barazimit 2-2 të Herri Kejnit në stadiumin e Totenhemit.

SPORT-PREVIEW-Mourinho-Ball-Boy

Me londinezët që ishin duke u mundur 1-2 nga helenët, djaloshi veproi shpejt gjatë një rivënieje anësore të vendësve, duke i dhënë topin Oriesë. Mbrojtësi gjeti Lukas Mourën me rivënien e tij dhe braziliani krosoi për Kejnin, i cili barazoi shifrat e një ndeshjeje që anglezët në fund do ta fitonin 4-2 dhe do siguronin biletën në 1/8-at pas Bajernit në grupin e tyre. Mou iu afrua, i dha dorën dhe e falënderoi djaloshin dhe më vonë në konferencë tha se do e kishte ftuar atë të festonte në dhomën e zhveshjes me skuadrën, por ai i ishte zhdukur.

“Unë i dua djemtë inteligjentë. Ai e lexoi ndeshjen dhe dha një asist. Unë në moshën 10- 16 vjeç isha një mbledhës shumë i mirë topash dhe ai ishte i tillë gjithashtu. Ai po lexonte ndeshjen dhe nuk i kishte sytë nga tribunat. Doja ta ftoja në dhomën e zhveshjes për të festuar me lojtarët pas ndeshjes, por ai ishte zhdukur”.

Por Kallum, i cili është në vitin e 6-të si mbledhës topash te “Spërsat”, thotë gjatë një interviste për sajtin e klubit se ai në fakt bëri detyrën: “Është pak e pabesueshme. Nuk e besoj atë që ndodhi. As golin nuk pash. Isha i zënë të merrja topin. Ajo është detyra ime. Nuk e kisha kuptuar se kisha ndihmuar në dhënien e një asisti deri në momentin që dëgjova tifozët të festonin. U ktheva dhe pash Kejin që po festonte. Pash përsëritjen në ekran dhe kuptova se çfarë ndodhi. Mund ta shihni nga buzëqeshja ime që ishte thjesht e pabesueshme.

jose-mourinho-ball-boy

Zhoze nuk kishte pse ta bënte atë. Ishte një gjest shumë i bukur prej tij që erdhi te mua. Më gëzoi ditën, ishte momenti më i bukur i jetës. E dua Totenhemin dhe ishte një moment që nuk do ta harroj kurrë”, tregon nxënësi që atë ditë sakrifikoi edhe provimin e matematikës për të qenë i pranishëm në stadium: “Gjatë rrugës së kthimit në shtëpi, përdorja një elektrik në makinë për të përsëritur matematikën. Kisha një provim atë ditë, por rashë dakord me mësuesit që ta shtyja për ditën tjetër”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"