Largohet trajneri Lleshanaku, Elbasani gati të bëjë zgjedhje brenda “familjes”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 29, 2020 | 11:00

Largohet trajneri Lleshanaku, Elbasani gati të bëjë zgjedhje brenda “familjes”

Elbasani mbetet pa trajner pas përfundimit të fazës së parë. Tekniku Shkëlqim Lleshanaku ka dhënë dorëheqjen nga pankina elbasanase pas rezultateve të dobëta, duke i hapur kështu rrugën klubit për të menduar për zëvendësuesin e tij. Dorëheqja e Lleshanakut është pranuar nga ana e drejtuesve të klubit, por burimet pohojnë se ai do të vijojë të jetë pjesë e Elbasanit, tashmë në rolin e këshilltarit. Ecuria e dobët e këtij sezoni, ku në shtatë ndeshje verdheblutë pësuan po kaq humbje dhe shënuan vetëm një gol, ka sjellë “kokën e parë të turkut” dhe është parë e udhës që të jetë tekniku ai që të largohet.
Leshanaku Elbasani
LLESHANAKU
“Panorama Sport” kontaktoi me Lleshanakun pas këtij vendimi. Trajneri nuk kërkon aspak të hapë polemika, duke e parë të udhës që kjo ishte zgjedhja më e drejtë në këto momente. Ai lë të hapur mundësinë e një ritakimi në të ardhmen sërish me verdheblutë. “Po, kam dhënë dorëheqjen. Ishte diçka që e mendoja prej disa ndeshjesh, duke parë që nuk po merrnim pikë dhe e pashë të udhës që të largohesha për t’i hapur rrugën një tjetër trajneri, i cili ndoshta mund të sjellë impulse të reja. Ruaj kujtimet më të mira nga ky klub. I dhashë aq sa munda dhe i falënderoj të gjithë, që nga presidenti dhe deri te punëtori i fushës, për bashkëpunimin që kemi pasur. Do vijoj të jap kontributin tim sa herë të më kërkohet dhe ndoshta rrugët tona bashkohen sërish një ditë, sepse puna e trajnerit kështu është. Gjysma e dytë e sezonit të kaluar ka qenë mbresëlënëse, ku edhe arritëm shpëtimin. Por, nuk ishte e thënë që të vijonim me ato rezultate edhe në startin e këtij kampionati. Po largohem me kokën lart, sepse çdo ditë dhashë më të mirën time”, u shpreh Lleshanaku për gazetën.

ALTERNATIVAT
Menjëherë kanë nisur të qarkullojnë alternativat e para për të marrë drejtimin e skuadrës. Burimet pranë klubit pohojnë për gazetën se shanset janë që ta marrë drejtimin e verdhebluve një brenda familjes. Në klub nuk duan të nxitohen për emrat, por gjatë ditëve të para të janarit do të bëhet edhe zyrtarizimi i tij. Për momentin skuadra ka marrë pushimet dhe javën e parë të vitit 2021 ekipi do të rikthehet në stërvitje, tashmë me një trajner të ri.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"