Largohet Elmazi, Kamza kërkon mbrojtësin e Luftëtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2017 | 11:43

Largohet Elmazi, Kamza kërkon mbrojtësin e Luftëtarit

Në një kohë që drejtuesit e Kamzës janë treguar aktivë në merkato, duke afruar lojtarë mjaft cilësorë për sezonin e ri në Superiore, numri i atyre që janë larguar është relativisht i madh. Spartak Elmazi është futbollisti i 16-të që nuk ka arritur akordin me drejtuesit për rinovimin e kontratës edhe për një tjetër vit.

Elmazi

Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai është shprehur: “Me shumë keqardhje largohem nga klubi i Kamzës, kjo në bazë të një marrëveshjeje mes meje dhe drejtuesve të klubit. Dëshira ime ishte që të isha pjesë e skuadrës së sezonit të ri në Superiore, por disa rrethana dhe arsye të mia personale më detyruan që t’u kërkoja largimin drejtuesve të klubit.

Spartak Elmazi

Gjithsesi dua t’i falënderoj për gjithçka. Ka qenë sezoni më i mirë për mua gjatë gjithë karrierës sime pranë këtij klubi. Nuk ishte e thënë që të vazhdoja karrierën pranë shokëve dhe miqve, ku unë gjeta bashkëpunim dhe sinqeritet. Dua t’u uroj të gjithë çunave të Kamzës suksese në Superiore dhe një falënderim për të gjithë tifozët e Kamzës dhe ata që më kanë mbështetur. Për momentin, jam një lojtar i lirë dhe ende nuk kam vendosur se në cilin ekip do të luaj në sezonin e ardhshëm”, ka thënë Elmazi.

zguro

Objektivi – Kamzalinjtë janë mjaft aktivë në merkato dhe emri i ri, që ka dalë në skenë është ai i ishmbrojtësit të Luftëtarit, Vangjel Zguro. Ky i fundit, i larguar drejt SHBA-së pak kohë më parë, por duket se ka vendosur të rikthehet në vendin tonë dhe disa klube kanë shprehur interes për ta pasur në sezonin e ardhshëm.

Zguro

Gjithsesi për të marrë lojtarin, kamzalinjtë duhet të presin që më parë ai të zgjidhë kontratën me Luftëtarin, ku ka firmosur për tre vite. Zguro kishte një klauzolë në kontratë me bluzinjtë, në bazë të së cilës mund të largohej vetëm drejt SHBA-së. Do të mbetet për t’u parë nëse klubi gjirokastrit do ta lërë të lirë futbollistin, që të vazhdojë karrierën e tij në një tjetër klub në Superiore sezonin e ri.

Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"