Largohen dy afrikanë, Noka zbulon afrimet: Marr sulmues goli dhe portier

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 25, 2019 | 23:29

Largohen dy afrikanë, Noka zbulon afrimet: Marr sulmues goli dhe portier

Besëlidhja merr pushimet. Me një seancë të zhvilluar dje pasdite, lezhjanët i kanë dhënë zyrtarisht fund 2019-ës. Para se të shpërndaheshin, futbollistët tërhoqën edhe pagën e muajit dhjetor dhe iu është lënë takim për të rifilluar përgatitjet më 6 janar. Fundi i këtij viti shoqërohet edhe me largime. 

gjok noka

Të parët që shpallin “divorcin” janë dy afrikanë. Mesfushori Isiaga Kamara dhe mbrojtësi Abubacar Soumah, e mbyllin këtu aventurën me ekipin. I pari ka qenë pjesë e lezhjanëve prej janarit të 2017- ës, ndërsa i dyti erdhi vetëm një vit më parë.

LARGIMET – Është Gjok Noka që e konfirmon këtë lajm, në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”. Ai sqaron se lojtarët kishin kërkuar letrat për mungesë hapësirash, ndaj nuk i ka penguar. “Që nga sot (dje), Besëlidhja është lënë pushim. Prej 6 janarit, ekipi do të grumbullohet për të nisur fazën përgatitore.

Për gjysmën e parë të sezonit jam i kënaqur. Diferenca e pikëve me Kastriotin e kreut nuk na vret, pasi përpara kemi pak më shumë se gjysmën e kampionatit që na mjafton për të reflektuar. Me dëshirën e tyre u larguan dy futbollistët guineas, Isiaga Kamara dhe Abubacar Soumah. Nuk gjetën hapësira si titullarë në formacion dhe unë pasi i likuidova financiarisht, i dhashë dokumentet, pasi këtë gjë ma kanë kërkuar që herët”, tha fillimisht kreu i klubit.

Beselidhja-Kastrioti

AFRIMET – Presidenti nuk ngurron të shpalosë edhe planet për vitin e ardhshëm dhe merkaton, ndërsa paralajmëron afrimin e një sulmuesi goli dhe një portieri. “Tani jemi në bisedime me shumë futbollistë, ndër ta ne do të marrim një sulmues goli dhe një portier, për të tjerë do të diskutojmë me stafin teknik. Ende nuk i kemi përzgjedhur emrat, por ka gjasa që të na vijnë nga Serbia. Kjo është ende e hapur.

Edhe për gjysmën e dytë të sezonit Besëlidhja do të ketë po të njëjtën mbështetje nga ana ime, por edhe unë do ta rris kërkesën e llogarisë për rezultatet. Nuk duhet të sorollatemi më në këtë nivel, por të ngjitemi aty ku e meritojmë. Duke përfituar nga ky prononcim, dua që të gjithëve t’u uroj gëzuar festat e fundvitit, Krishtlindjet dhe Vitin e Ri 2020, që nga futbollistët, stafi teknik dhe të gjithëve atyre që bashkëpunojnë apo kanë bashkëpunuar me mua”, përfundoi Noka.

Preng Gjikola – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"