Largohen 14 futbollistë, nis revolucioni te skuadra që do të militojë në Kategorinë e Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 1, 2023 | 20:35

Largohen 14 futbollistë, nis revolucioni te skuadra që do të militojë në Kategorinë e Parë

Plot 14 futbollistë i kanë dhënë lamtumirën Bylisit. Dje klubi ballshiot ka konfirmuar zyrtarisht largimet, teksa bëhet fjalë për lojtarë të rëndësishëm, duke filluar nga porta në sulm. Bëhet fjalë për emra si Aldo Teqja, Aleksandar Damçevski, Mevlan Adili, Vasil Zhongo, Vangjel Zguro, Stivian Janku, Kristi Kote, Eskuerdinja, Zho Santos, Tomojuki Doi, Çarls Atshimene, Antoni Beji, Abu Danladi dhe Brice Tutu.

bylisi

Një pjesë e lojtarëve iu bashkuan skuadrës në janar dhe luajtën shumë pak, por pati edhe titullarë të padiskutueshëm si Adili dhe Zguro.

Klubi mësohet se është ndarë më mirëkuptim me lojtarët, të cilët tashmë do të shohin variante të tjera për të ardhmen e tyre. Nga ana tjetër, ballshiotët kanë ruajtur një pjesë të rëndësishme të skuadrës dhe bëhet fjalë për lojtarë cilësorë dhe me perspektivë, nga ata që kanë spikatur dhe kanë kontrata afatgjata me klubin.

ORGANIKA

Janë të tjerë lojtar pjesë e Bylisit që klubi duhet të vendosë t’i mbajë ose t’i shesë në ekipe të tjera, brenda dhe jashtë vendit. Duke filluar që nga porta, ku ka mbetur Renato Beqaj, pjesë e U-19 dhe U21 si titullar, por edhe kontingjent me Kombëtaren U19. Mbrojtja ka elementë të spikatur si Trumçi, Lorran dhe Muçollari, pa harruar më të rinjtë Skënderaj, Mehmetaj e Ndreu.

Por, ndërkohë në mesfushë janë disa lojtarë cilësorë si Maçolli, Lajthia, Ruçi, Qoshku dhe Abazaj, të cilët janë të gjithë nën kontratë me Bylisin. Për të vijuar me sulmin, ku Kaçorri, Qardaku dhe i riu Alimerkaj janë garanci për klubin.

Pra, edhe me kaq shumë lojtarë të larguar apo dhe në rast se shitet ndonjë nga elementët e mësipërm, ballshiotët e kanë një bazë nga Superiorja që kanë eksperiencën e duhur për të bërë mirë me Bylisin e Kategorisë së Parë, duke e udhëhequr drejt rikthimit në elitë. Gjithsesi, në Ballsh duket se puna ka dhe presidenca pritet që të vërë mirë pikat mbi “i” për nisjen e një tjetër projekti me baza më të shëndosha.

PORTIERI

Aldo Teqja e mbyll aventurën te Bylisi, pasi portieri ka qenë i huazuar nga Partizani në Ballsh, duke bërë një sezon shumë të mirë. Portieri u shfaq si një shembull edhe për elementët e rinj që duan të mbrojnë portën.

Teqja ka qenë një siguri për Bylisin, madje vendimtar në shumë ndeshje me ndërhyrjet e tij. Në Ballsh ai gëzoi respektin e drejtuesve dhe shokëve të skuadrës, por edhe tifozëve. Tashmë ai pritet të rikthehet te klubi ku është nën kontratë, Partizani, ku në verën e vitit të kaluar ishte titullar në Kupat e Europës.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"