“Largimi nga Tirana është keqinterpretuar”, rrëfehet Abibi: Ja pse e lashë Italinë dhe si e zgjodha Kastriotin prej… babait

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2020 | 22:05

“Largimi nga Tirana është keqinterpretuar”, rrëfehet Abibi: Ja pse e lashë Italinë dhe si e zgjodha Kastriotin prej… babait

Alesio Abibi do të jetë portieri titullar i Kastriotit këtë sezon. 23- vjeçari që vjen pas një eksperience të shkurtër në futbollin italian me Avelinon dhe Kavezen, ka rrëfyer ekskluzivisht për “Panorama Sport” pse zgjodhi të rikthehej në Shqipëri. Portieri flet edhe për Tiranën, skuadrën ku u afirmua në kampionatin shqiptar dy sezone më parë.
Alesio Abibi
Alesio, si ishte aventura në Itali dhe pse u largove?
Eksperienca ime në Itali ishte pozitive, pasi Avelino është një klub i rëndësishëm. Atje u ndjeva një profesionist i vërtetë në të gjitha drejtimet, pasi gjithçka po shkonte shumë mirë. Madje në janar isha shumë pranë kalimit në Serinë B, por shitja e klubit dhe presidenca e re ndryshoi jo vetëm fatin tim, por edhe të shumë shokëve të skuadrës.
Të kthehemi pak pas në kohë, po nga Tirana pse zgjodhe të largoheshe në një moment kur ndoshta mund të merrje më tepër hapësirë?
Largimi im nga Tirana është keqinterpretuar shpeshherë. Pas një sezoni të mirë si titullar te Tirana, unë kisha edhe një vit tjetër kontratë, por pasi më erdhi kërkesa nga Avelino, unë nuk mund ta refuzoja, sepse e di se sa e vështirë është të futesh në futbollin profesionist italian, ndaj edhe i kërkova presidentit Halili, të më jepte mundësinë të largohesha nga Tirana. Në fillim nuk ishte e lehtë t’i mbushja mendjen presidentit që të më jepte leje, por pas shumë përpjekeve ai u tregua zemërgjerë dhe nuk më pengoi. Për këtë e falënderoj me sinqeritet dhe i jam mirënjohës.

Pse vendosët për t’u rikthyer sërish në Shqipëri?
Për sa i përket këtij sezoni, vendosa të lëvizja nga Italia, edhe pse e dija që nuk do të kisha shumë hapësira, sepse në Serine C italiane, shumë klube marrin subvencione nga federata për aktivizim të lojtarëve të rinj, që në shumicën e rasteve luajnë në portë. Këtë politikë, këtë vit kanë filluar ta ndjekin shumë klube të Serisë C për shkak të krizës ekonomike, që u thellua akoma më shumë nga pandemia.

Keni patur oferta nga ndonjë klub tjetër i Superiores përpara se të firmosje me Kastriotin?

Gjatë verës kisha disa opsione për në klube të tjera në Europë, ndaj edhe si fillim nuk e kisha ndërmend të kthehesha në Shqipëri. Po, gjithashtu kam patur disa oferta edhe nga klubet e tjera të Superiores. Moskonkretizimi me klubet në Europë bëri që te vija te Kastrioti. Klubi krutan, për tre vjet rresht më kërkonte për të më bërë pjesë të organikës se tij.

Çfarë nuk shkoi fillimisht mes teje dhe klubit krutan, pasi munguat disa ditë në stërvitje…?

Në fillim u krijuan disa keqkuptime për shkak të personave ndërmjetës, por pasi u këshillova me profosor Ndreun, ai mundësoi takimin tim me presidentin, me të cilin arrita të gjej të gjitha akordet e paracaktuara. Këtu përfitoj për ta falenderuar presidentin e Kastriotit, pasi plotësoi çdo kërkesë timen.

alesio abibi

Babai juaj ka një lidhje të hershme me Krujën, pasi ka qenë portier i Kastriotit. Ishte kjo një arsye më shumë që ju të pranonit ofertën?
Po, babai im ka qenë portier i Kastriotit për disa vite. Ai më ka folur me shumë nostalgji për vitet që ka kaluar në Krujë, për skuadrën luftarake që ka pasur Kastrioti, si dhe tifozët e zjarrtë që e kanë dashur shumë. Më ka treguar për banorët e Krujës, që e kane trajtuar vërtet si djalin e tyre.

Si e sheh ekipin e Kastriotit këtë sezon dhe a të bind për ta përballuar kampionatin denjësisht?

Kastrioti është një miks i lojtarëve me eksperiencë dhe atyre të rinj. Do të na karakterizoj me siguri lufta në fushë dhe dëshira e madhe për të treguar veten, ndaj mendoj se nuk do ta ketë të lehtë asnjë skuadër me ne. Do ta përballojmë denjësisht Superioren.

Ju ka penalizuar shtyrja e kampionatit?

Normal që shtyrja e kampionatit nuk është e mirë për asnjë futbollist, pasi e gjithë puna dhe djersa e stërvitjes finalizohet gjatë garës. Kjo të motivon për t’u stërvitur gjithnjë e më shumë. Por, nëse kjo shërben për një kauzë të përbashkët, atëherë nuk do ta quaja penalizim, por një rast për të përfituar dhe për t’u përgatitur sa më mirë me grupin.

Cilat janë objektivat e klubit dhe ato personale?

Që Kastrioti të mos jetë kalimtar këtë sezon, por të lërë gjurmë duke ia bërë më të vështirë skuadrave të tjera. Secili nga ne, duke u përpjekur të arrijë objektivat personalë me sa më shumë punë e këmbëngulje, do të mundësojë edhe arritjen e objektivave të klubit Kastrioti.

BUJAR BALLIU 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"