“Largimi nga Lushnja nuk qe për fajin tim”, Mikel Canka: Duhej të kisha ardhur më parë në Berat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 18, 2020 | 20:26

“Largimi nga Lushnja nuk qe për fajin tim”, Mikel Canka: Duhej të kisha ardhur më parë në Berat

Mikel Canka është një nga afrimet më të spikatura të Tomorit. Përvoja e tij e gjatë pritet që t’i shërbejë skuadrës beratase për të realizuar objektivat e saj. Vetë sulmuesi thekson në një intervistë për “Panorama Sport” se Tomori do të jetë pretendent absolut për ngjitjen në Superiore.
canka
Këtë sezon jeni bashkuar me Tomorin. Si do ta komentonit këtë lëvizje?
Edhe më parë kam qenë në kontakte me drejtuesit beratas, të cilët kanë dashur të më bëjnë pjesë të Tomorit, edhe pse i kam ndëshkuar me gola. Këtë detaj e kam vlerësuar maksimalisht kur u shkëputa nga Lushnja. Tomori është skuadër me tradita, Berati është qytet shumë i bukur dhe tifozët janë të zjarrtë. Për këtë sezon ka një projekt ambicioz për Superioren.

Sa e vështirë ishte ndarja me Lushnjën, që u pasua edhe me polemika nga drejtuesit e saj?
Është ndjesi e pazakontë, kur një futbollist largohet nga skuadra e vendlindjes, me të cilën e lidh gjithçka në sport dhe në jetë. Për mua nuk ishte e lehtë, por ndarja nuk erdhi për shkakun tim. Nuk merrem me polemika, nuk më interesojnë. Kam keqardhje për tifozët lushnjarë, me të cilët kam marrëdhënie të shkëlqyera. Respektoj profesionalizmin dhe lëvizjen e lirë në futboll. Në Berat duhej të kisha ardhur më parë, ndërsa Lushnja është kapitull i mbyllur. Cankën e njohin mirë si njeri dhe si futbollist.
tomori miqesore
U bë një muaj që jeni te Tomori. Deri ku mund të shkojë forca e këtij ekipi sezonin e ri?
Punën e deritanishme e vlerësoj me nota maksimale, është një sinjal pozitiv për synimet që ka skuadra. Objektivin e vendos klubi dhe presidenti, por e them pa frikë se Tomori do të jetë një nga pretendentët kryesorë për t’u ngjitur në Superiore.

Cili do të jetë kontributi i Cankës në realizimin e një objektivi madhor si ngjitja në elitë?
Një sulmues duhet të kontribuojë me gola, e ndiej për detyrë t’ua shpërblej këtyre njerëzve mbështetjen. Respekti ndaj meje dhe shokëve të mi i ka kaluar parashikimet. Jemi një grup që e njohim mirë njëri-tjetrin dhe kjo na ndihmon shumë.

Po rivalët tuaj, cilët mund të jenë?
Ne duhet të shikojmë vetëm punën tonë, pa u marrë aspak me rivalët. Për këtë arsye nuk po përmend emra rivalësh, por di të them se ne jemi pretendentë seriozë.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"