Largimi misterioz nga Partizani, flet Progni: Më donin drejtuesit e Teutës, nuk u thosha jo

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 1, 2018 | 19:44

Largimi misterioz nga Partizani, flet Progni: Më donin drejtuesit e Teutës, nuk u thosha jo

Gerhard Progni befasoi me vendimin e tij për të kaluar në orët e fundit të merkatos te Teuta, edhe pse ishte pjesë e projektit të trajnerit Skënder Gega te Partizani. Ndonëse palët e kanë kaluar në qetësi prishjen e marrëveshjes, mësohet se gjatë paradites së djeshme palët janë ballafaquar në Dhomën e Zgjidhjeve të Konflikteve në FSHF, ku palët janë dakordësuar në seancën e parë. Shkak kanë qenë detyrimet e prapambetura që klubi ka pasur ndaj lojtarit, por zgjidhja është gjetur që në seancën e parë.

gerhard progni

I pyetur nga “Panorama Sport” se pse ishte dje në DHZK, lojtari ka dhënë variant tjetër. Gjithsesi, në fund palët kanë gjetur konsensusin dhe Progni firmosi te Teuta. Ai ishte “qershia mbi tortë” për trajnerin Shkëmbi. Në prezantimin u shpreh se nuk e pati të vështirë për të zgjedhur Teutën, sidomos pas komunikimit me trajnerin Shkëmbi dhe presidentin Edmond Hasanbelliu.

Disa ditë më parë kalimi juaj te Teuta ishte një operacion i pamundur. Çfarë ndodhi që vendosët të ktheheshit përsëri këtu?

Është kënaqësi të rikthehem sërish në Durrës, pasi kalova 6 muaj mjaft të mirë. Stafi teknik shfaqi interes për mua dhe kur të duan stafi dhe presidenca, dëshira është edhe më e madhe për të bashkëpunuar dhe ndaj jam këtu.

Sa ndikoi trajneri, një ish-shok ekipi në Korçë?

Kemi kaluar shumë mirë kur kemi qenë shokë skuadre. Tani është pak më ndryshe. Ai është trajneri, unë lojtari. Është kënaqësi të jesh lojtari i Bledit. Besoj që do të arrijmë objektivat që ka klubi.

Te Partizani ishit një lojtar stabël, pse u larguat?

Vërtet lëvizja erdhi në fund të merkatos, por e rëndësishme është që u gjet marrëveshje nga palët dhe në përfundim u ndamë të kënaqur.

Me çfarë formule u bashkuat me Teutën, me huazim apo i lirë?

Kam ndërprerë marrëveshjen me Partizanin dhe u bashkova me Teutën si lojtar i lirë. Tani kartonin tim e zotëron Teuta.

Për çfarë arsye ishit dje në DHZK në federatë?

Mora letrat nga klubi i Partizanit dhe i dërgova në FSHF për t’u federuar si lojtari i Teutës.

Teuta ka ndërtuar një skuadër kompetitive dhe këtë e tregojnë emrat që ka në përbërje. Ku mendoni se mund të arrini në këtë sezon?

Me këtë grup që ka Teuta, në këtë sezon do të jetë dështim nëse nuk arrijmë Kupat e Europës. Ky është objektivi i klubit dhe besoj se në fund të sezonit do të jemi në Europa League.

Në vitet e fundit Skënderbeu ka qenë favoriti kryesor për titullin, po në këtë sezon si e shikoni garën?

Këtë sezon kampionati do të jetë shumë i fortë, pasi janë 4-5 skuadra që kanë bërë afrime mjaft të mira. Konkurrenca do të jetë e ashpër dhe besoj se vetëm në fund do të ndahen verdiktet e sezonit.

Te Partizani keni luajtur në disa pozicione, po te Teuta në çfarë roli do të luani dhe ku ndiheni më mirë?

E rëndësishme është që të jem në dobi të skuadrës. Për mua nuk ka fare probleme kjo pjesë, e rëndësishme është që skuadra të arrijë rezultatin. Unë jam i gatshëm, është trajneri ai që do të vendosë.

Teuta ka pasur problem në dy ndeshjet e para, edhe pse ka krijuar shumë, nuk kanë shënuar. Çfarë duhet të ndryshojë sipas jush?

E rëndësishme është që ekipi di të dalë në sulm. Golat do të vijnë patjetër, nuk duhet ta bëjmë dramë, pasi janë vetëm dy ndeshjet e para të kampionatit. E rëndësishme është që ka raste dhe golat do të vijnë.

Drilon Xhepollari

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"