Largimi i Roberto Morenos mes lotësh, Enrike nuk e do si ndihmës. Ja kulisat me trajnerët e Spanjës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2019 | 16:30

Largimi i Roberto Morenos mes lotësh, Enrike nuk e do si ndihmës. Ja kulisat me trajnerët e Spanjës

Luis Rubiales kishte përgatitur sh karkimin e Robert Morenos prej disa javësh. Me arritjen e kualifikimit për në Europian ishte gati që të zyrtarizonte rikthimin e Luis Enrikes. Presidenti i federatës spanjolle nuk priste që planet e tij të zbuloheshin deri përpara ndeshjes me Rumaninë. 

luis-rubiales-abre-la-puerta-al-regreso-de-luis-enrique-a-la-seleccion-espanola

Por gjithçka nisi me një pyetje të gazetarit të “Marca”-s për presidentin. Ai e pyeti nëse kishte garanci vazhdimësia e Robert Morenos dhe Rubiales nuk foli me bindje për këtë gjë. Fundi i ndeshjes me Rumaninë nuk ishte aspak i qetë në zyrat dhe dhomat e zhveshjes së “Vanda Metropolitano”-s. Moreno u përshëndet me lojtarët dhe u largua mes lotësh.

Ditën e djeshme, federata spanjolle konfirmoi rikthimin e Luis Enrikes në krye të stolit. Pas dramës familjare që përjetoi gjatë këtij viti, ku humbi vajzën 9- vjeçare, ish-trajneri i Barcelonës do të marrë sërish drejtimin e skuadrës për Europianin 2020, por do të firmosë kontratë edhe për Botërorin 2022.

ARSYET E LARGIMIT

 Pa mbështetje – Robert Moreno, pavarësisht se po merrte rezultate pozitive dhe arriti të siguronte kualifikimin e Spanjës për në Europian, nuk e pati kurrë mbështetjen e federatës. Rubiales është treguar i ngurtë me të dhe kurrë nuk e ka shfaqur mbështetjen kundrejt trajnerit. Asnjë postim në rrjetet sociale, por këtë e justifikonte me faktin se Spanja nuk e kishte siguruar kualifikimin.

15536117634011

Trajner kalimtar – Robert Moreno është konsideruar gjithmonë si një trajner kalimtar te skuadra e Spanjës. Që nga dita kur mori drejtimin, Rubiales tha se Enrike i ka dyert e hapura për t’u rikthyer kur të dojë. Në federatë besonin se Enrike do të rikthehej dhe kjo ndodhi.

Ligji i lojtarëve – Ajo që nuk u pëlqeu drejtuesve të federatës është fakti që lojtarët morën kontrollin dhe bënin ligjin në kombëtare. Fillimisht, ndryshuan programin stërvitor për të kaluar nga e hëna në të martën, nuk stërviteshin të mërkurën dhe të enjten në mbrëmje. Rubiales mendonte se pushtetin në skuadër e kishte Serxho Ramos dhe me rikthimin e Enrikes do të jenë gjërat më të përcaktuara dhe të ndara siç duhet.

NDIHET I TRADHTUAR

Trajneri Robert Moreno e tha vetë në një konferencë që do të hapte krahun për rikthimin e Enrikes, por me kal imin e kohës i pëlqeu vendi si trajner dhe mundësia për të drejtuar Spanjën në Europian. Në këtë mënyrë mendoi realisht se do të konfirmohej dhe besonte se Enrike nuk do t’ia prishte këtë ëndërr që po jetonte. Mirëpo, ky i fundit ka dëshirë të rikthehet dhe në këtë mënyrë do t’i zërë vendin mikut të tij dhe bashkëpunëtorit të përhershëm.

Federata po mendon që ta mbajë si trajner të dytë, por ai nuk ka ndërmend që ta pranojë këtë rol. Ndihet i tradhtuar prej Enrikes dhe prej federatës. Tani dëshiron vetëm të ketë aventura si trajner i parë dhe ndihet i plotësuar për këtë gjë. Madje, në Spanjë bëjnë me dije se është pikërisht ai që nuk e do si ndihmës.

69

KOMUNIKIMI

Robert Moreno e kishte kuptuar që diçka po ndodhte rreth tij dhe përpara ndeshjes me Rumaninë kërkoi qartësi nga presidenti dhe drejtori sportiv Molina. Ky i fundit ia komunikoi largimin menjëherë pas ndeshjes së fituar kundër Rumanisë në “Vanda Metropolitano”.

Hoze Fransisko Molina (drejtor i ekipeve kombëtare) ia tha vendimin që kishte marrë Luis Rubiales për të ardhmen dhe Moreno nuk bëri asnjë reagim. Ai anuloi menjëherë konferencën për shtyp pas ndeshjes, duke u thënë mediave që nuk ishte i gatshëm për të folur në ato momente.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"