Largimi i Resulit, zbulohet kush do e drejtojë Flamurtarin
Dorëhiqet Dritan Resuli. Trajneri i Flamurtarit dha dorëheqjen një ditë më parë në mënyrë të befasishme. Humbja me Egnatian duket se nuk është kapërdirë dot nga tekniku vlonjat, i cili ka marrë edhe vendimin e prerë. Resuli i ka paraqitur dje dorëheqjen e parevokueshme administratorit Sinan Idrizi.
Shkak për dorëheqjen e trajnerit vlonjat nga pankina e Flamurtarit duket se është bërë situata e krijuar prej rezultateve negative të ekipit në këto javë. Mosfederimi i lojtarëve të ardhur në janar dhe ndoshta mungesa e një perspektive për rregullimin e situatës duket se kanë ndikuar që Resuli të mos bënte prapaktheu në vendimin e tij. Për “Panorama Sport”, Resuli tregohet i kujdesshëm, duke mos deklaruar shkaqet që e çuan të ndërmerrte këtë vendim. Shkurtimisht ai thotë se ishte një zgjedhje personale e tij.
“Nga ky moment nuk jam më trajner i Flamurtarit. Kam paraqitur te drejtuesit e klubit dorëheqjen time. Ishte një vendim personal. Nuk kam çfarë të them më tepër. Ndoshta mund të flasim në një moment tjetër. Flamurtari për mua mbetet shumë i shtrenjtë, pasi jam i lidhur shpirtërisht me të dhe kam dhënë kontributin tim në këtë klub. I uroj suksese në vazhdimësi”, u shpreh Resuli.
ADMINISTRATORI
I kontaktuar nga “Panorama Sport”, edhe administratori Sinan Idrizi ka konfirmuar dorëheqjen e trajnerit Resuli, ndërsa e ka falënderuar për bashkëpunimin. “Trajneri Dritan Resuli është dorëhequr nga detyra. Ishte një zgjedhje e tij personale. Unë e falënderoj për bashkëpunimin dhe punën e bërë deri tani dhe i uroj suksese në karrierën e tij”, tha Idrizi.
TRAJNERI I RI
Ende nuk ka një kandidat zyrtar për të marrë drejtimin e Flamurtarit, sidomos në këtë moment të vështirë që po kalon ekipi. Deri në emërimin e trajnerit të ri, në krye të pankinës do të qëndrojë i komanduar përgatitësi atletik, portugezi Rui Sampaio. “Për momentin ekipi do të drejtohet nga përgatitësi atletik, Sampaio. Më pas do të shikojmë për afrimin e ndonjë grupi trajnerësh”, përfundon Idrizi.
ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"