Largimi i Ramadan Ndreut, ja 4 kandidatët për stolin e Kamzës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 11, 2018 | 10:01

Largimi i Ramadan Ndreut, ja 4 kandidatët për stolin e Kamzës

“Ju falënderoj për këtë periudhë që kaluam bashkë, ju uroj suksese”. Ishte ky mesazhi që trajneri Ramadan Ndreu u përcolli futbollistëve, me të cilët bashkëpunoi për një vit, duke nisur që nga ngjitja e Kamzës në Kategorinë e Parë dhe deri të dielën e 8 prillit, kur pas humbjes me Kukësin në shtëpi, pozitat e tij u lëkundën.

kamza

Deklarata e Ndreut pas ndeshjes se kishte menduar dorëheqjen, bëri që drejtuesit e klubit të mendonin për ndryshimin në stol. Dje pas një takimi që patën mes tyre, palët janë ndarë me mirëkuptim. Pas takimit që Ndreu bëri me futbollistët para seancës së djeshme stërvitore, më pas ishte presidenti Naim Qarri që u komunikoi vendimin.

Kamza

“Ndreu nuk do të jetë më trajner, por do të vazhdojë të jetë pjesë e jona. Të gjithë bashkë duhet të çojmë deri në fund objektivin. Nga nesër (sot) do të kemi një trajner tjetër. Dua angazhim maksimal”, tha Qarri para skuadrës. Ndërkohë, më pas lojtarët zbritën në fushë, teksa seanca u drejtua nga zv.trajneri Elidon Topi.

Rezultatet negative të javëve të fundit kanë bërë që Kamza të futet në vorbullën e skuadrave që luftojnë për mbijetesë. Ndeshja e radhës është ajo kundër Skënderbeut në Korçë.

Kandidatët – Menjëherë, drejtuesit e klubit kamzali janë vënë në kërkim të një trajneri. Edhe pse zyrtarisht nga drejtuesit nuk përmendet asnjë emër, mësohet se po qarkullojnë si kandidatë potencialë Bledar Devolli, Klodian Duro, Agim Canaj dhe Gerd Haxhiu.

Trajneret

Gjithçka mbetet për t’u parë sot, kur presidenti Qarri dhe kryebashkiaku Mziu do të takohen me trajnerin që pritet të drejtojë Kamzën në tetë javët e mbetura të Kategorisë Superiore. Misioni do të jetë i vështirë, por gjithsesi grupi i lojtarëve jep garanci për një mbyllje pozitive të kampionatit. Kamza do të kërkojë të sigurojë mbijetesën sa më shpejt të jetë e mundur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"