Largimi i lushnjarëve dhe kostot, drejtuesit japin llogari në Bashki. Ja diskutimet e plota

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 27, 2020 | 13:34

Largimi i lushnjarëve dhe kostot, drejtuesit japin llogari në Bashki. Ja diskutimet e plota

Është zhvilluar dje mbledhja e Këshillit Bashkiak të Lushnjës, që kryen dhe rolin e asamblesë së përgjithshme. Ka pasur diskutime për situatën e ekipit, ku anëtari Ervin Sina kishte kërkuar një seancë dëgjimore me drejtuesit kryesorë të Lushnjës. “Panorama Sport” sjell të plota diskutimet në mbledhje:

Lushnja

Ferdinant Gjermeni (kryetari i Këshillit Bashkiak): Zoti Sina, ju keni bërë një kërkesë për aktivitetin e Lushnjës dhe ramë dakord që të thërrisnim drejtuesit për sqarime. Jemi në kushtet e pandemisë, por aktivitetet sportive janë ato që i japin frymëmarrje jetës së një bashkie. Kemi thirrur administratorin, z.Vladimir Hajdari, dhe ne kemi të drejtë të kërkojmë llogari për çfarë është bërë dhe çfarë nuk është bërë.

Vladimir Hajdari (administrator i Lushnjës): Administrata ka personelin, 5 vetë, 8 trajnerë të 4 ekipeve të moshave, 3 trajnerët e ekipit të parë, brigadën e mirëmbajtjes me 8 persona dhe 25 futbollistë. Gjithsej janë 49 persona. Ky ishte një vit i veçantë, ku pandemia ndërpreu aktivitetin. Në fund të majit mbyllej kontrata e futbollistëve dhe bëmë një kontratë shtesë për muajt qershor dhe korrik, kështu kontratat shkuan në 12 muaj. Për këtë pjesë të shtuar kemi hequr disa shpenzime, duke u mbështetur te bashkia. Kemi plotësuar rrogat e futbollistëve për këta dy muaj shtesë.

Ervin Sina (anëtar i asamblesë): Ne kemi detyrime të prapambetura ndaj futbollistëve që nuk janë më te Lushnja?

HAJDARI: Mund të ketë detyrime të vogla. Futbollistët kanë një kontratë 10-mujore dhe pas saj janë të lirë të shkojnë ku të duan. Nëse u pëlqen kontrata, mund ta pranojnë, nëse jo, mund të largohen pa detyrime karshi nesh.

SINA: Ka aludime për disa lojtarë lushnjarë të larguar gjatë merkatos. Ne u kemi bërë atyre ofertë të qëndrojnë?

HAJDARI: Ata nuk janë pak, nuk janë vetëm lojtarët lushnjarë. Kemi pasur lojtarë edhe nga Peqini, Elbasani e Fieri. Oferta jonë ishte ajo që ishte, ata, si duket, kanë marrë ofertë më të madhe nga ekipet e tjera dhe kanë ikur. S’i pengojmë dot.

SINA: Kështu është krejt normale. Për merkaton që kemi bërë, shpenzimet janë të njëjta, të rritura apo më të ulëta në raport me edicionin e fundit?

HAJDARI: Shpenzimet financiare janë të njëjta. Unë, si ish-sportist dhe ish-trajner, jam “partizani” më i madh që sportistin ta vlerësojmë më shumë se kushdo tjetër. Për futbollistët që kemi marrë ekziston një grup trajnerësh dhe specialistësh, duke filluar që nga trajneri i parë, dy zv.trajnerët dhe shefi i klubit, që ka bërë përzgjedhjen. Kanë marrë këta elementë që kanë ardhur. Erdhën edhe shumë të tjerë, por mbajtëm këta.

SINA: Çfarë objektivi kemi për edicionin e ri?

Hajdari: Me afrimet e reja, ekipi i parë duhet të kapë vendin e parë për të shkuar në Superiore. Në momentin që trajnerët e shikojnë të arsyeshme se këta futbollistë do të rrisin cilësinë, do të fusin Lushnjën në Superiore. Shpresojmë të hyjmë në Superiore, por të mos na ndodhë me gjykimin si në Bilisht apo në Fier.

SINA: Një pyetje për nënkryetarin e bashkisë, keni thënë se shumë shpejt do të rregullohen terrenet sportive. A ka gjë të re?

Gentian Nushi (nënkryetar i bashkisë): E vetmja gjë që mund të themi është se në përgatitjet që po bëjmë për buxhetin e vitit të ardhshëm, patjetër që fillon një nga terrenet sportive që ka klubi. Problemi është se ne duhet të jemi gati sa më shpejt. Jemi me projekt dhe me aplikim, me të gjitha ato që i duhen një projekti të tillë. Do bëjmë të gjitha përpjekjet që vitin tjetër të kemi një terren të ri stërvitor.

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"