Largimi i Kashamit, Egnatia piketon trajnerin e ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 29, 2019 | 12:56

Largimi i Kashamit, Egnatia piketon trajnerin e ri

Egnatia nisi dje javën stërvitore nën drejtimin e zëvendëstrajnerit Eduard Thartori, sepse Ndriçim Kashami u largua pas barazimit me Erzenin në ndeshjen e së shtunës. Kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Egnatias është Artan Bano, por janë edhe disa emra të tjerë në listë.

kASHAMI

Trajneri kavajas, Kashami, ishte dje në Rrogozhinë, ku është përshëndetur me drejtuesit e klubit, ndihmësit e tij dhe grupin e lojtarëve. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, Kashami ka komentuar largimin e tij nga stoli i rrogozhinasve, duke e quajtur të nxituar vendimin e drejtuesve të Egnatias. “Ne trajnerët kurdoherë jemi me valixhe në duar, – thotë Kashami, i cili përpiqet të jetë sa më i përmbajtur. – Me Erzenin fati ishte kundër nesh, pasi bëmë gjithçka mirë, por nuk arritëm të shënonim.

Një ditë më pas më është komunikuar vendimi për ndërprerjen e bashkëpunimit që kisha firmosur gjatë verës. Ekipi është ende në fazë harmonizimi, pasi pak lojtarë kanë mbetur nga sezoni i kaluar. Javë pas jave po krijonim fizionominë tonë si klub. Jemi dëmtuar edhe nga gjykimi në disa ndeshje, me Kastriotin dhe Veleçikun.

egnatia

Nuk i vë faj askujt që skuadra ka 8 pikë në klasifikim. U mundova të isha bashkëpunues me të gjithë, por kjo është puna e trajnerit. Mund të bëja më shumë për Egnatian. Vendimin e largimit e prita me pozitivitet, me sa kuptova ishte zgjedhje e kryebashkiakut apo ndryshe presidentit të skuadrës për rezultate të dobëta. Mendoj se ata që e drejtojnë Egnatian janë nxituar për këtë vendim. Jemi ndarë si miq dhe i respektoj të gjithë”.

Bano Artan ne ndeshjen ndaj Lacit

BANO – Artan Bano është kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Egnatias. Gazeta mëson se trajneri lushnjar ka qenë në stadium të shtunën dhe ka ndjekur nga afër ndeshjen me Erzenin. Për momentin nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga klubi rrogozhinas, por gjasat janë që Bano të emërohet shumë shpejt, Gerd Haxhiu dhe Gentian Stojku janë dy kadidatë të tjerë, por me më pak shanse se Bano, i cili më parë ka drejtuar Lushnjën dhe Shkumbinin.

ALDO BUZI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"