“Largim aspak normal”, shfryn trajneri Mërgjyshi: Nuk u ndjeva i vlerësuar nga klubi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 3, 2020 | 21:52

“Largim aspak normal”, shfryn trajneri Mërgjyshi: Nuk u ndjeva i vlerësuar nga klubi

Pritej që tekniku tiranas të zhvillonte një takim me skuadrën dhe t’u bënte me dije lojtarëve vendimin e largimit të tij. Por Mërgjyshi nuk e ka parë të arsyeshme të udhëtojë drejt Fierit, pasi gjërat janë qartësuar në 2-3 ditët e mëparshme. Ai thjesht ua ka njoftuar largimin drejtuesve të klubit dhe tashmë është një trajner i lirë.

mergjyshi

Në një kontakt telefonik me “Panorama Sport”, 52-vjeçari ka folur shkurt dhe në mënyrë lakonike, duke rikonfirmuar qëndrimin e tij të mëparshëm për shkaqet e dorëheqjes nga drejtimi i Apolonisë, të cilën e shpalli kampione të Kategorisë së Parë.

“Që nga sot (dje), unë nuk do të jem më trajner i Apolonisë. Është e vërtetë që kemi qenë në diskutime për kontratën e re, por nuk gjetëm konsensus dhe kësisoj vendosa të largohem. Më vjen keq që nuk do të jem më, sepse bëmë një punë të jashtëzakonshme dhe një sezon të mirë. Gjithsesi, dorëheqja ime është e padiskutueshme dhe erdhi ngaqë nuk u ndjeva i vlerësuar nga klubi, por edhe për arsyet e mia.

Po e lë skuadrën me titullin kampion të Kategorisë së Parë dhe të rikthyer në Superiore pas 5 sezonesh dhe nuk më vjen mirë që detyrohem të largohem dy javë përpara kampionatit të ri, por gjërat nuk shkuan siç duhet dhe unë nuk kisha rrugë tjetër. Djemtë dhe skuadrën do t’i uroja me shpirt që të kenë suksese dhe të bëjnë një përfaqësim dinjitoz në Superiore”, është shprehur trajneri i Apolonisë, tashmë me statusin ish.

I pyetur nëse ka kontakte apo oferta nga klube të tjera, Mërgjyshi është përgjigjur prerë: “Jo! Për momentin jam trajner i lirë”. Artan Mërgjyshi e ka drejtuar Apoloninë në tri sezone të ndryshme: 2014-2015 në Superiore (18 javë) dhe dy edicione të plota në Kategorinë e Parë: 2015-2016 dhe 2019-2020. Sezonin e fundit, me një skuadër shumë të re në moshë, ndërtoi një Apoloni befasuese, që u kurorëzua kampione e Kategorisë së Parë dhe shkoi gjer në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, ku u eliminua nga Kukësi. Mërgjyshi ka spikatur si një trajner me pak fjalë dhe punë shumë, kërkues dhe këmbëngulës, por edhe si një evidentues dhe promovues i të rinjve të talentuar.

Kujtojmë në të shkuarën që Myrto Uzuni dhe Blerim Krasniqi e krijuan profilin e tyre tek Apolonia, nën trajnimin e Mërgjyshit e po kështu, në sezonin e fundit, mund të themi se Gjata, Zoga, Omeri, Jeton Krasniqi etj., u rritën cilësisht dhe fituan hapësira në formacionin bazë të skuadrës së Mërgjyshit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"