Lapidari Bilal Agalliu!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 5, 2017 | 22:31

Lapidari Bilal Agalliu!

Nga BESNIK DIZDARI

Pardje, të dielën, Federa ta Shqiptare e Çiklizmit dhe Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve kanë bërë një gjest kuptimplotë në respektim të vlerave sportive të kombit. Kanë festuar 70-vjetorin e lindjes së Bilal Agalliut, simbol i çiklizmit shqiptar, ndonëse ky sport ka disa simbole. Në kilometrin 29 në Qafë Kërrabë është përuruar, madje me garë e festime, një obelisk-lapidar në kujtim të treguesit më të vërtetë të personalitetit sportiv të Bilal Agalliut: shpërthimit të pandalshëm të fitoreve të tij të bujshme.

Këtu, në lartësinë e Qafë Kërrabës, drejt hyrjeve triumfale të tij në Tiranë, Bilal Agalliu ndërronte marshet e biçikletës së tij dhe jo i vetëm me gati 60-70 km/orë në zbritje, shpesh mbasi i kishte mposhtë njeri mbas tjetrit në ngjitjen e malores të gjithë rivalët, nuk kishte më burrë që t’ia prekte sadopak fitoren! Nuk ka pasur sporti shqiptar qysh në krijimin e tij, një gjest më të rrallë dhe origjinal përkujtimor të përjetësimit të veprës sportive të një njeriu të madh të sportit kombëtar, siç qe Bilal Agalliu, si ky i së dielës: lapidar për së gjalli!

E gjitha kjo, për Agalliun duhet të përbëjë arritjen më të plotë të jetës së tij sportive: nderim emblematik për çka sporti shqiptar deri më sot nuk kishte treguar se i zotëronte në realizim. 70-vjetori i lindjes së këtij mjeshtri të pashlyeshëm përkon ndërkaq me vitin e 80- vjetorit të Rrethit të Parë Çiklistik të Shqipërisë, i pari në Europë për amatorët – konfirmuar nga autori i këtyre radhëve në Kongresin Botëror të Çiklizmit më 1991 në Shtutgart – dhe kësisoj gjithçka vjen e merr një kuptim tjetër, edhe më me vlerë.

Bilal Agalliu

Bilal Agalliu ka lindur më 1935, 10 vjet mbas Rrethit të Parë Çiklistik të Shqipërisë të 1925-tës, fituar prej Jonuz Gjylbegut të Shkodrës, që deri diku pati dhe jehonë europiane të epokës – ngjarje për të cilën ne do të shkruajmë në kohën e saktë të përvjetorit – natyrisht pa e parashikuar askush asokohe, se njëzet vjet më vonë ky i sapolindur do të shndërrohej në legjendë e çiklizmit shqiptar. Kur më 1936, Koço Kereku i Korçës fitonte Rrethin e Dytë Çiklistik të Shqipërisë, Bilal Agalliu ishte 1 vjeç.

Kur më 1949, Shqipëria merrte pjesë për herë të parë jo pa bujë në Garen e Paqes, Pragë- Berlin-Varshavë që vazhdon të zhvillohet pa ndërprerje sot e kësaj dite, duke mbetur më e gjata në historinë e garave të çiklizmit për amatorë, tejet sportive në zhvillimin dhe organizimin e saj, pavarësisht nga toni i politikës së Mbasluftës së Dytë, qoftë dhe për shkak të kujdestarisë së saj prej gazetave “Tribuna Ludu” e “Rude Pravo” të Partive Komuniste të Polonisë e të Çekosllovakisë, Bilal Agalliu qe 14 vjeç djalë dhe tashmà biçikleta i qe bërë e pandashmja e trupit të tij.

Në këtë vit, ai lexonte në gazeta se një çiklist shqiptar me emrin Pirro Angjeli, në njëfarë mënyre, kishte qenë sfida e garës. Dhe, nëse organizatori Palok Nika dhe fituesi Jonuz Gjylbegu të 1925-tës qenë themeluesit, Pirro Angjeli qe shqiptari i parë që i tha Europës sportive se çiklizmi është po aq i hershëm edhe në këtë vend të vogël.

14-vjeçari Bilal Agalliu do të ketë àndrrue. Me sytë e mendjes do të jetë munduar të kuptonte sadopak prej heroizmit të një Pirro Angjeli, çka sot e kësaj dite ka mbetur ngjarja ndoshta më sensacionale e çiklizmit shqiptar, e errësuar prej mungesës së institucionit të historisë sportive në Shqipëri dhe të botuesve e gazetarëve të vërtetë gjurmues dhe ushtrues të saktë të këtij profesioni, për fat sot përfundimisht i rangut të dytë.

Bilal Agalliu me siguri do të ketë lexuar e mësuar se Pirro Angjeli, i cili mbas pak do të bëhej një prej bashkë- garuesve e mësuesve të tij, ishte renditur i 18-ti në Garën e Paqes – çka përbënte një befasi të paparë për sportin olimpik shqiptar. Do të jetë mahnitur vërtet kur ka më- suar mandej se Pirro Angjeli është renditur i 18-ti jo midis 20 pjesëmarrësve, por midis plot 101 çiklistëve të 19 ekipeve: Shqipëri, Poloni, Bullgari, Çekosllovaki, Finlandë, Francë, Rumani, Hungari…

Sot, ky 70-vjetor i Bilal Agalliut, vetvetiu bëhet shkas të tregojmë paksa për herë të parë për këtë eveniment të madh të shuar prej historisë së sportit shqiptar.

Shqipëria ka mbërritur në Pragë e përbërë prej Pirro Angjelit, Ruzhdi Çermës, Michel Cicos, Koço Sterjos, Niko Kotes e Gani Laçejt dhe është përshkuar nga Praga në Pardubice, nga Brno në Gotwaldow, nga Ostrava në Katowice, nga Wroclawi në Lodz e deri në Varshavë, prej 1 majit e deri te dita historike e 9 majit 1949, në një Europë rrugëve të së cilës ende mund të shihej autoblinda apo tanku i përmbysur dhe ku punë- torët e rrugores shiheshin duke i dhënë dorën e fundit një lapidari të të rënëve, çka Lufta e Dytë i pati me mijëra e mijëra në këto toka.

Pirro Angjeli, të cilit i qëndronte besnik më i pranishëm Niko Kote – një tjetër figurë emblematike e çiklizmit shqiptar – në përfundim është i 18-ti duke lënë pas 83 çiklistë, ndërsa Kote është i 56-ti, duke lënë pas 45 çiklistë europianë. Të paharrueshme për Angjelin tonë po aq të paharrueshëm – etapat Pardubice – Brno dhe Bërno – Gottwaldov, ku ai është midis të parëve dhe vetëm shorti e cakton në vendet 15 dhe 11. Ishte viti i çekosllovakut të papërmbajtshëm Jan Vesely, i cili triumfon në 5 nga 8 etapat e Rrethit prej 1259 kilometrash, e natyrisht fitues i plotfuqishëm i Garës së Paqes.

Duhet pranuar se sot e kësaj dite vendi i 18-të i Pirro Angjelit më Garën e Paqes 1949, mbetet arritja më e madhe e çiklizmit shqiptar në një garë autoritare me etapa. Ky ka qenë shéji i parë i madh i traditës sonë të nëpërkambun, të cilën brezi i Agalliut do ta përtërinte.

Kësisoj, Bilal Agalliu, 14-vjeçari i Tiranës së vitit 1949, i cili shihej ashtu i vogël mbi biçikletë, nuk do të rritej mbi një tokë djerrë, por mbi një taban tradite të lindur prej një Junoz Gjylbegu kombëtar të 1925-tës, si dhe prej një Pirro Angjeli ndërkombëtar të 1949-tës, i cili dy vjet më parë, më 1946, ishte bërë fituesi i parë i Rrethit të Shqipërisë të Mbasluftës, çka do ta përsëriste edhe në këtë 1949.

Në njëfarë mënyre fama e një Pirro Angjeli këtu do të kishte majën, ndonëse në Garën e Paqes të 1952- shit, tash student në Varshavë, për të mësuar përveç të tjerave edhe teknikën dhe teorinë e çiklizmit, Pirro Angjeli është shqiptari i vetëm, i cili kryen përsëri Garën e Paqes, duke iu rikujtuar organizatorëve protagonistin e çudisë shqiptare befasuese të vitit 1949! Nuk ishte nga ata, të cilët e braktisnin kaq lehtë biçikletën, sepse edhe student, ai do të gjente kohë të përshkohej garave polake, ashtu i vetëm dhe një entuziast “i pandreqshëm”.

Në Shqipëri, ndërkaq, kishte nisur mbretërimi i një simboli tjetër të çiklizmit, Fadil Muriqit të Shkodrës, i pari i familjes së madhe unike të çiklizmit shqiptar: Fadil Muriqi, Gani Muriqi, Ruzhdi Muriqi dhe Fuat Muriqi, i cili javë më parë mbeti dëshmor i këtij sporti tronditës. Fadil Muriqi fiton katër rrethe të Shqipërisë, 1951, 1952, 1953, 1954, po tashmà nga pas dëgjonte jo pa shqetësim vërshëllimën e rrotave të shpejta të biçikletës së një djali trupvogël e kompakt, me emrin Bilal Agalliu as 16-17-vjeçar. Ishte paralajmërimi për një epokë tjetër sportive shqiptare që do të vinte, ajo e djaloshit Bilal Agalliu.

1954-tra do të ishte viti i tij. Fiton për herë të parë Rrethin e Shqipërisë dhe 19 vjeç djalë është pjesë e ekipit kombëtar që shkon në Pragë – Berlin – Varshavë midis 114 çiklistëve pjesëmarrës dhe përshkues i plot 2033 kilometrave rrugë të 13 etapave të papërballueshme: Pirro Angjeli, Fadil Muriqi, Bajram Shaba, Asim Alija dhe… Bilal Agalliu, 19-vjeçari shqiptar, pjesëmarrësi më i ri i Garës së Paqes 1954. Varshavë- Lodz – Katovicë – Wroclav – Cotbus – Berlin – Lips – Karl Marx Stadt – Pardubice – Brno – Tabor – Pragë!

2000 e sa kilometra të papërballueshëm. Pirro Angjeli është i 71-ti, Bilal Agalliu i 73-ti, Fadil Muriqi i 74-ti… Çka do të thoshte rreth 40 çiklistë mbrapa tyre. Duket pak natyrisht, sepse 1949- ta e Pirro Angjelit ishte parathënë të mbeste monumentale për çiklizmin shqiptar modest, por jo pa traditë. Bilal Agalliu në njëfarë mënyre, për Shqipërinë kishte triumfuar: 19 vjeç djalë, 2000 kilometra rezistencë, pjesëtar i denjë.

Kur kthehet në Shqipëri nuk përmbahet. Nuk mund t’i dalë askush përpara. Rrethet e Shqipërisë do të ishin të tijtë përmbi dhjetë vjet me radhë. Një vit më vonë, më 1955, Shqipëria shkon përsëri në Garën e Paqes dhe ekipi shqiptar i përbërë nga Pirro Angjeli, Fadil Muriqi, Bilal Agalliu, Ruzhdi Çerma e Eqrem Shaba – i cili vite më vonë do të bëhej sekretari më i suksesshëm i Federatës Shqiptare të Çiklizmit – në cilësinë e garës arrin që për herë të parë katër çiklistë të tij të përfundojnë të gjitha etapat në një rreth stërmundues prej plot 2214 kilometrash.

Fadil Muriqi - Bilal Agalliu - Eqrem Shaba

1956. Ekipi i Shqipërisë në Garën e Paqes, Pragë – Berlin – Varshavë. Nga e majta, tre të mëdhenj të çiklizmit shqiptar: Fadil Muriqi, Bilal Agalliu, Eqrem Shaba.

Pragë – Brno – Tabor – Karlovi Vari – Karl Marx Stadt – Lips – Berlin – Cottbus – Wroclaw – Katovice – Lodz – Varshavë. Ishte viti i duelit të madh që mbajti frymën e Europës sportive, midis gjermanit Gustav Adolf Schur, çekut Jan Vesely, britanikut Stanley Brittain dhe suedezit KarlMagnus Amell.

Nuk kishte vend për shqiptarë midis 106 pjesëmarrësve, por ata tërheqin simpatinë për qëndresën e tyre të pashoqe dhe pse jo, edhe për një hap në përsosjen sportive të tyre. Ruzhdi Çerma – prej gjashtë dekadash në shërbim të çiklizmit – është më i miri i ekipit të tij (i 73-ti), Fadil Muriqi i 74-ti, Bilal Agalliu i 76-ti, Eqrem Shaba i 78-ti midis të 106-tëve. Edhe kjo duket pak, por assesi nuk është pak. Gara e Paqes ishte bërë tashmà pikë referimi për formimin e çiklistëve profesionistë të vërtetë si dhe të atyre që do të fitonin medalje botërore e olimpike.

Kur mbërrin viti 1956, Shqipëria shkon për herë të fundit në Garën e Paqes. 2212 kilometra rrugë. Por rekord i paparë numri i 141 pjesëmarrësve dhe e pranishme e gjithë Europa: Britania e Madhe, Austria, Belgjika, Çekosllovakia, Danimarka, Franca, Finlanda, Jugosllavia, RFGJ, RDGJ, Polonia, Rumania, Suedia, Hungaria, Italia, BRSS, Egjipti, Norvegjia, Holanda, Luksemburgu, Zvicra…

Gara më dramatike që ishte parë. 21- vjeçari Bilal Agalliu është më i miri i Shqipërisë, por vetëm i 85- ti. Pirro Angjeli “veteran” i 89-ti, Eqrem Shaba e Fadil Muriqi 96- 97, Gani Dervishi i 101-ti. Edhe kjo është pak natyrisht, por jo pak kur vëreje se pesë shqiptarët përfundojnë garën mbi dymijë kilometërshe dhe mbrapa tyre janë gati 50 të tjerë. Nuk ishte dhe nuk mund të ishte Shqipëria qendra e çiklizmit të Europës së sprovuar njëqind herë më fort se ky vend i vogël, i cili megjithatë kishte meritën se i kishte dhënë kontinentit të vjetër rrethin e parë për amatorët!

Ka qenë viti 1956 – vit kyç në historinë e çiklizmit shqiptar, i cili tash, me hapa të përshpejtuara, ishte shndërruar në një sport popullor në Shqipëri. Një popullaritet që e kishte marrë ndër duar Bilal Agalliu me shokë. Kanë qenë vite të rralla, të çuditshme për një sport heroik të rrugëve të frikshme shqiptare, të një udhëtimi të pandalshëm aventuresk, të cilin do ta udhëhiqte Bilal Agalliu. Vite kur në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” ndërpritej ndeshja e futbollit dhe para 20.000 shikuesve hynte i vetëm Bilal Agalliu apo Fadil Muqiri, Eqrem Shaba apo Ruzhdi Çerma e të tjerë që erdhën së bashku me ta ose pak mbas tyre.

Për fat, gradualisht gjithçka erdhi duke u shuar pikërisht nga mbyllja ndërkombëtare që Partia i bëri këtij sporti në një periudhë tejet shpresëdhënëse, për të rifilluar një hapje e tij vetëm mbas 30 e sa vjetëve, kur ai e kishte harruar fort Europën, andej nga mesi i viteve ’80, kur një plejadë tjetër, plejada e Agim Tafilit do të shpaloste modernen e parë në çiklizmin shqiptar…

… Duke iu rikthyer epokës sonë, vërejmë se Bilal Agalliu nuk ndalet ndërkaq. Dhe deri më 1963 ai fiton 10 rrethe çiklistike radhazi, duke shkruar epokën, legjendën dhe për krahasim statistikor “rekordin botëror” të fitimit radhazi të 10 rretheve çiklistike të një vendi nga një njeri i vetëm.

Kam përshtypjen se këtu merr fund ky shkrim me rastin e 70- vjetorit të Bilal Agalliut, të cilin e shfrytëzuam për të treguar ngjarje të patreguara më parë si dhe për të nderuar atë çka përfaqëson në këtë rrugë Bilal Agalliu dhe vetë çiklizmi shqiptar në të cilin ai është simboli. Rasti unikal i dhjetë Rretheve Çiklistike të Shqipërisë të fituara radhazi prej tij, mahnit historianët sportivë të botës, sepse kjo nuk ka ndodhur askund.

Dhe rastet më të afërta të ngjashme me të tijin në historinë e çiklizmit botëror të më shumëherë fituesve në garat shumëditore me etapa, janë shumë të rralla, vetëm ato të Mariano Canardo-s të Spanjës 8 herë fitues i Giro di Catalogna, por kurrë radhazi; si dhe i Sean Kellyt të Irlandës, i cili ka fituar shtatë herë rresht Paris – Nice, e ky është rasti më i afërt statistikor sportiv me tonin. Asnjë tjetër.

Mbetet Bilal Agalliu. Trupvogël, peshë e lehtë, art i madh, figurë “e padukshme”, shpërthyes, i matun, i papërmbajtshëm në ngjitje në të cilat nuk lëshoi pé për 12 vjet me radhë. I pari më 1954, më 1955, më 1956, më 1957, më 1958, më 1959, më 1960, më 1961, më1962, më 1963. Dhjetë vjet pa ndalesë! Pushim më 1964 kur ia lëshon vendin Ruzhdi Muriqit, rikthim më 1965 për të 11-tin vit dhe fund!

Bilal Agalliu është larguar nga çiklizmi për të mos u mbërritur kurrë më. Kjo është ikja legjendare e tij, shkëputja e pamshirshme që të çon te lapidari i tij. Rrallë kanë qenë çiklistët shqiptarë që të kenë bërë jetën e tij, që të kenë qenë kësisoj në simbiozë me biçikletën si ai. Mund ta krahasoj me Loro Boriçin. Nëse ky ishte i trupëzuar me futbollin. Bilal Agalliu ishte me çiklizmin. Sekreti? Talenti, kompaktësia fizike e pakrahasueshme e tij, zotërimi i malit, e ndonëse më pak i fushës, po edhe këtu ai qe llogaritës fantastik i minutave eprore që zotëronte në lartësitë. Dhe sekreti i sekreteve: regjimi.

Në këte Bilal Agalliu ndoshta qe i pari i të parëve. Për te gara ishte e shéjtë. Ky njeri më tepër kishte emocion në ruajtjen fanatike të regjimit se sa në vetë garën. Kur kjo fillonte ai e kishte gjithçka të matun mirë. I heshtun, krejt i pafjalë, sa “i padukshëm” po aq befasisht i shfaqur gjigand në mbërritjet dhe në kryesimet për 12 vjet të rretheve të tija të Shqipërisë.

Më vonë qe trajner dhe te Partizani i tij – shkollë e çiklizmit kombëtar – numrin e fitoreve të rretheve të tij, ai i shtoi edhe ato që si trajner i tyre fitoi me protagonistët e mëdhenj të brezit të tretë a të katërt të çiklizmit tonë, me Dashamir Ramën, Muharrem Ahmetin, Lutfi Zinon, Kastriot Mezinin, Agron Huqin, Agim Tafilin, Ardian Ferraizajn, Agim Pajën. Kështu Bilal Agalliu nuk është triumfues në vetëm 11 rrethet e pedalimit të tij, por i afër 25 rretheve çiklistike të Shqipërisë.

Ishte trajner i ekipit kombëtar së bashku me të paharrueshmin Gani Muriqi më 1986, kur Shqipëria (dhe i nënshkruari pati fatin të ishte përgjegjësi i ekipit) zuri vendin e dytë në Rrethin e Turqisë – arritja më e madhe në një garë ndërkombëtare deri më sot. Dhe nuk mund të harrojmë se është babai i Roland Agalliut, futbollisti Kampion i Shqipërisë me Labinotin e Elbasanit, por dhe Kampioni i Rumanisë me Universitatean e Krajovës – i pari shqiptar i Mbasluftës kampion i një kombi tjetër.

Ky është Bilal Agalliu, lapidari Bilal Agalliu i kilometrit 29 të Qafë Kërrabës e të mijra kilometrave të Tiranës, Pragës, Shkodrës, Elbasanit, Vlorës, Varshavës, Korçës, Gjirokastrës, Berlinit, Beratit, Brnos, Lodzit, Tiranës. Për historinë tonë – dhe jo vetëm për te – i pambërritshëm. Njëqind vjet Bilal Agalliu!

————————————————–

* Në nderim të jetës së jashtëzakonshme të sportistit të madh shqiptar, Bilal Agalliu, ndarë këto ditë nga jeta, me miratimin e autorit ribotojmë pa i lëvizur as presjen këtë shkrim të 26 prillit 2005, marrë nga gazeta “Tema” e asokohe.

* Artikull i shkruar për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi në print ose online.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"