“Lamtumirë me… festë”, finalja e Play-Out-it, Shtubina: Stadiumi duhet të “plasë” nga tifozët, nëse tregohemi të zgjuar…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 31, 2022 | 10:27

“Lamtumirë me… festë”, finalja e Play-Out-it, Shtubina: Stadiumi duhet të “plasë” nga tifozët, nëse tregohemi të zgjuar…

Ndriçim Shtubina i dha lamtumirën futbollit në “Loro Boriçi”, e megjithatë zyrtarisht nuk e ka mbyllur. Luajti me Dinamon dhe i gatshëm do të jetë edhe me Korabin.

NDRICIM SHTUBINA

Kjo me dibranët do të jetë në fakt e fundit ndeshje për të dhe ai pret që ta përfundojë këtë kapitull të rëndësishëm të karrierës së tij me festë. Sot në orën 17:00 rrogozhinasit do të presin dibranët, për të luajtur finalen e “play out”- it.

Shkodrani është i bindur që do ta kalojnë këtë pengesë të fundit, por nuk ngurron që të japë edhe këshilla.

Është një ndër lojtarët më me eksperiencë tek Egnatia, ndaj u kërkon shokëve që të tregohen të zgjuar e të administrojnë emocionet. Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, shkodrani jep edhe një ftesë për tifozët.

NDRICIM SHTUBINA 2

“Pres që nesër (sot) të jenë prezentë një numër më i madh tifozësh se në çdo sfidë tonën.

E ndiej si një detyrim ndaj tyre që largimin zyrtar nga futbolli ta bëj nën duartrokitjet e tyre që për çdo futbollist janë si oksigjeni pa të cilin nuk mund të jetojë një futbollist.

I dua të shumtë edhe për të festuar pas ndeshjes, pasi u jemi borxhli tifozëve tanë. Flas kështu nga bindja dhe besimi që kam te shokët, edhe pse në futboll kurrë nuk i dihet.

Të gjitha elementet flasin në favorin tonë, që nga tifozët, fusha, përbërjet e dy ekipeve”.

I nisur nga përvoja që ka, Shtubina specifikon se në duele të tilla duhet zgjuarsi dhe administrim i emocioneve përtej çdo situate.

“Në përballje të tilla, gjykoj se vlen më shumë zgjuarsia e reagimit në momente pikante, ruajtja e emocioneve përtej çdo situate që mund të ndodhë në fushë. Citova këto dy elemente, pasi nuk dyshoj në epërsinë e vlerave që grup ynë ka.

Ndoshta me të drejtë, shumë thonë se nuk mund të flitet me 100% siguri para një sfide, por unë flas bazuar në bindjen që kam në lojën e ekipit.

Korabi do të jetë sfiduesi ynë, ndërsa ne thjesht do të qëndrojmë aty ku jemi, në elitë”, përfundoi shkodrani.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"