Lamtumirë Trajkoviç: Do të firmos në Maltë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 7, 2012 | 9:38

Lamtumirë Trajkoviç: Do të firmos në Maltë

Pjesa dërrmuese e futbollistëve janë të gatshëm të vijojnë aventurën me Besëlidhjen, veçse presin vetëm ftesën zyrtare për t’u grumbulluar. Gjatë sezonit që u mbyll, me Besëlidhjen kanë luajtur dhe katër serbë. Njëri prej tyre, qendërmbrojtësi Aleksandër Stojkoviç, ka luajtur dy sezone radhazi, ndërsa mesfushori Vojislav Trajkoviç dhe sulmuesi Aleksandër Miliç kanë luajtur vetëm sezonin që sapo u mbyll. Ndërkohë që mesfushori i majtë, Milan Gjorgjeviç, erdhi te Besëlidhja fazën e dytë të sezonit. Trajkoviç ka luajtur në rolin e mesfushorit dhe është aktivizuar në të gjitha takimet, më përjashtim të ndonjë takimi për shkak kartonësh. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai shprehet i pavendosur për kthimin e tij në Lezhë. Gjasat janë që ai të pranojë ftesën e një ekipi nga Malta. “Besëlidhja është një ekip që ia vlen të jesh pjesë e tij. Tani duhet të ishim në Superiore, por kjo nuk u arrit. Gjithsesi, mbetet një skuadër pretendente dhe në të ardhmen patjetër do t’u bashkëngjitet më të mirëve të kampionatit shqiptar. Për kohën që kam luajtur në Lezhë, jam i kënaqur, si nga kolegët e mi futbollistë, në të njëjtën kohë edhe nga stafi drejtues i kryesuar nga presidenti Noka. Ia vlen të luash me ekipin lezhjan, por futbollistët kanë shumë ëndrra dhe ambicie, ndaj dhe nuk e kam vendosur ende se ku do të luaj sezonin e ardhshëm. Ndërkohë kam shumë ftesa nga ekipe të Superiores, po ashtu dhe të së Parës në Shqipëri. Gjithashtu, për mua kanë shprehur interesimin edhe skuadra të ligës së parë dhe të dytë në kampionatin e Serbisë, madje me disa kam hyrë dhe në tratativa. Por, më tundojnë ekipet e Maltës, madje me njërin jam në përfundim të negociatave. Gjasat janë që të bëhem pjesë e tyre”, – përfundon mesfushori serb, Trajkoviç. Në pritje të ftesës nga presidenca e Besëlidhjes, futbollistët po shfrytëzojnë në maksimum pushimet verore. Ndonëse për momentin nuk ka një plan për sezonin e ardhshëm sportiv, në unison nga kampin lezhjan konfirmohet se nëse arrihet të ruhet i njëjti grup, atëherë ngjitja në Kategorinë Superiore nuk shihet si “mision i pamundur”. Ndërkohë vazhdon të mbetet bosh vendi i kryepankinës lezhjane. Pas dorëheqjes së trajnerit Ritvan Kulli, ende nuk është lakuar, dhe aq më pak zyrtarizuar, ndonjë kandidat i mundshëm.

GRUMBULLIMI, NDOSHTA NË KORRIK
Vijon të mbetet një dilemë më vete edhe thirrja e futbollistëve që do të zbresin në fushën e blertë për sezonin e ri sportiv. Si të mos mjaftonte enigma e përzgjedhjes së trajnerit të ri të Besëlidhjes, njëherësh e gjithë skuadra e ardhshme është me sy e veshë nga presidenca lezhjane. Ashtu si futbollistët vendës, edhe ata të huaj, “armata” serbe, po shijojnë pushimet verore dhe nga momenti në moment presin telefonatën që do t’i vinte në rresht. Ndonëse nuk ka një konfirmim zyrtar nga klubi për një datë të saktë se kur do të nisë realisht grumbullimi, në ambientin lezhjan ka zëra se një gjë e tillë parashikohet të ndodhë në fillimin e muajit korrik. Gjithsesi, deri atëherë futbollistët kanë kohë në hulumtimin edhe të opsioneve të tyre.
PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"