Lamaj, Seiti dhe Kalluci, skaneri i tre ish-ëve: Ja pse po vuan Luftëtari këtë sezon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2019 | 12:36

Lamaj, Seiti dhe Kalluci, skaneri i tre ish-ëve: Ja pse po vuan Luftëtari këtë sezon

Luftëtari do të përballet sot me Partizanin, takim i cili do të luhet në orën 17:00 në “Selman Stërmasi”. Humbja dhe zhvillimet e ndodhura pas Tiranës janë hedhur pas krahëve, ndaj të besuarit e trajnerit Maranantas janë të vendosur për të mos dalë duarbosh nga sfida me “demat e kuq”.

partizani luftetari

Kështu mendojnë një ditë para transfertës së kryeqytetit ata, të cilët dikur kanë bërë histori me Partizanin dekada më parë. Fjala është për emrat e njohur të futbollit gjirokastrit, Ruzhdi Lamaj, Luan Seiti dhe Theodhori Kalluci.

LAMAJ- Ish-portieri i Luftëtarit në vitet 1968-1985, Ruzhdi Lamaj, për “Panorama Sport” foli për përballjen e sotme me Partizanin dhe se çfarë duhet të bëjë Luftëtari për të pësuar më pak gola në vazhdimësi. “Luftëtari nuk është në ditët apo vitin e tij më të mirë. Arsyet janë nga më të ndryshmet dhe për t’u ndalur duhen analizuar gjërat nga themeli. Tre trajnerë të ndërruar, lojtarë pa përvojë në mbrojtje dhe mungesa e sulmuesit ‘gol’, me zanafillë nisjen e përgatitjeve më 29 korrik. Shkurtimisht janë arsye për të përjetuar krizën e rezultateve negative.

19 gola të pësuar në 10 javë janë shumë për një skuadër si Luftëtari, që rrallë pësonte kaq shumë gola. Absolutisht, nuk është përgjegjësi e portierëve, jo se nuk kanë gabuar, por s’janë përgjegjës për këto rezultate. Portieri i ri Qyrani ka bërë mirë kur është aktivizuar dhe ka perspektivë. Do përkrahje dhe mbështetje, se të nesërmen e afërt do jetë pjesë e formacionit. Edhe portieri grek ka cilësi, duhet të jetë më i kujdesshëm në dalje dhe të luajë më mirë me këmbë.

Porta është ‘thembra e Akilit’ në skuadër dhe është më e kritikuara. Pa mbrojtje të mirëvendosur, pa lojë në krahë dhe për më shumë me lojtarë të rinj, s’mund t’u shpëtosh humbjeve. Luftëtari e ka humbur shkëlqimin e para dy-tri viteve, Partizani është më i fortë sivjet. Ndaj, Luftëtarin e shikoj me pak shanse për të marrë rezultat pozitiv në Tiranë. Ekipi ka mundësi të marrë një pikë sot ndaj Partizanit, vetëm nëse do të sulmojë dhe jo të mbrohet. Mbrojtja më e mirë është sulmi. Për ta mbyllur, mund të kujtoj një shprehje popullore: Nga ferra e vogël del lepuri i madh. Lojtarët të hyjnë në fushë pa prikë se s’kanë çfarë të humbin përballë cilësive të Partizanit”, u shpreh ish-portieri Ruzhdi Lamaj.

SEITI- Një nga legjendat e Luftëtarit, ish-sulmuesi Luan Seiti, e konsideron mision të vështirë, por jo të pamundur rezultatin pozitiv sot ndaj Partizanit. “Më vjen keq të flas për situatën që po kalon Luftëtari. 6 pikë në 10 javë janë shumë pak. Ka gabuar shumë skuadra në mbrojtje. Janë shkaktuar penallti, që s’duhet të bëheshin nga mbrojtësit tanë. Kemi humbur pesë pikë, sa për fajin e lojtarëve tanë, por dhe për gabimet e gjyqtarëve.

Luan-Seiti

Na shohin të vegjël dhe me ‘syrin e njerkës’ arbitrat. Stafi teknik dhe drejtuesit e tjerë ta ngrenë zërin në ‘kupë të qiellit’ dhe jo të pranojnë penalizimet e gjyqtarëve. Megjithatë, skuadra ka nevojë të lidhet më mirë, lojtarët janë të rinj. Nuk e kuptoj pse ekipi luan më shumë në mbrojtje sesa në sulm. Që të fitosh një takim, duhet të krijosh raste dhe të shënosh. Diferencat janë të vogla mes skuadrave, ndaj ka kohë për rikuperim në të ardhmen.

Gjithmonë e kemi pasur të vështirë me Partizanin në kohën tonë. E kemi mundur 5-2 në mes të Tiranës dhe 5-1 para dy sezonesh në Gjirokastër. Kualitetet aktualisht janë në antitezë dhe kështu e shoh të vështirë daljen me pikë sot nga kryeqyteti. Stafi i ri teknik s’praktikon lojën e kundërsulmit, armën më të fortë që kemi pasur në kohën tonë dhe 3-4 sezonet e fundit. Këtë e kam sugjerim për stafin teknik. Rrimë shumë në pozita mbrojtëse dhe sulmojmë pak. Të mos humbim në shtëpi dhe të marrim nga një pikë jashtë fushe. S’ka diferenca mes skuadrave dhe me këtë mentalitet të zbresin lojtarët sot në fushë”, u shpreh ish-sulmuesi Luan Seiti për “Panorama Sport”.

KALLUCI- “Mjeshtri i Sportit”, Theodhori Kalluci, duelin e sotëm me Partizanin e etiketon si përballje radhe dha asgjë më shumë. “1-0 na mundi Partizani ndeshjen e parë në Gjirokastër. Një humbje, që në mendimin tim nuk tregoi forcën reale të të dy skuadrave, por tani gjërat janë ndryshe. Partizani ka pasur probleme në stafin drejtues.

Kalluci

Nga ana tjetër, për mua penalizmi i Filit dhe i Renjës s’duhet të ndodhte. Nuk e ka luksin Luftëtari që të dënojë lojtarë, kur nuk ka në stol zëvendësuesit e të pezulluarve. Rikthimi i Renjës është gjë e mirë, por e pamjaftueshme për gjendjen fizike. Që Luftëtari të dalë me një barazim, që do të ishte ‘melhem’ për të shëruar plagët, lojtarët duhet të mos dalin nga detyrat taktike. Të jenë të qetë dhe jo të frikësuar se luajnë me Partizanin. Nuk është Partizani më i mirë, se ai sezonit të fundit. Mos ta shohin si ‘gogol’, përkundrazi, si të barabartë. Në fushë luajnë 11 ndaj 11, por nëse ka dhe një të 12-të si arbitri, atëherë çfarë të bëjë Luftëtari”, u shpreh Kalluci për “Panorama sport”.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"