Lala: Xhaka më habiti me sjelljen ndaj Panuçit, De Biazi duhet ta kishte mbyllur edicionin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 2, 2017 | 23:39

Lala: Xhaka më habiti me sjelljen ndaj Panuçit, De Biazi duhet ta kishte mbyllur edicionin

Altin Lala e cilëson të gabuar veprimin e Taulant Xhakës për të mos takuar trajnerin e ri të Kombëtares, Kristian Panuçi. Ish-kapiteni legjendar i kuqezinjve e cilëson të pakuptimtë sjelljen e mesfushorit të Bazelit, edhe pse e vlerëson atë tej mase për cilësitë që ka si lojtar dhe për atdhedashurinë që shfaq vazhdimisht.

De Biazi, Lala etj ne stolin e kombetares

Ndërkohë, ish-mesfushori i Hanoverit dhe ish-trajneri i Kombëtares U-19, ka komentuar edhe largimin e De Biazit, duke e cilësuar gjithashtu një vendim të çuditshëm. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” Lala lë të kuptohet se Panuçi është një “bast” për FSHF-në, por për shkak të urisë që mund të ketë për t’u afirmuar, ai mund të ketë rezultate të mira me përfaqësuesen kuqezi.

Altin, ç’përshtypje ju la largimi i De Biazit, pas një fitoreje befasuese në Izrael?

Nuk e prisja, të them të drejtën. Natyrisht, një trajner largohet për motive nga më të ndryshmet, por më së shumti ikën kur nuk ka rezultate ose kur përplaset me drejtuesit. Në dijeninë time nuk ka ndodhur kjo, ndaj edhe u befasova disi. Nëse do të kisha qenë unë, sigurisht që do të kisha mbyllur edicionin, sepse janë edhe katër ndeshje të rëndësishme për t’u luajtur.

Vendim i çuditshëm që nuk e kuptova në fakt… De Biazi, pa dyshim do të mbetet në faqet e lavdishme të historisë së Kombëtares tonë për atë arritje madhështore, megjithëse nuk ishte i vetëm në atë betejë, por gjithsesi, edicionin mund ta kishte përfunduar. Megjithatë, është një vendim i tij dhe është arritur me konsensusin e federatës. Besoj nuk ia vlen të komentoj më gjatë.

Po thoni që për shkak se u kualifikuam në Europian mund t’i “falet” edhe ai largim në mes të edicionit?

Unë e përsëris: De Biazi do mbahet mend nga të gjithë sa të jemi gjallë. Ai punoi shumë mirë dhe bëri gjëra të mëdha te ne, por nëse do të kisha qenë në vendin e tij, nuk do të isha larguar pa mbaruar edicioni. Ka pasur arsyet e veta, kjo i përket atij, tashmë kemi një trajner të ri.

Meqë jemi te trajneri i ri, ju ç’mendim keni për Panuçin?

Ka qenë një lojtar i madh, i cili ka punuar mbi të gjitha me trajnerë të mëdhenj. Një ndër ta ka qenë edhe Kapelo. Kjo është një ndihmë e madhe në rrugën e re që ka nisur.

Dakord, por a mjafton kaq për të pasur sukses si trajner?

Këtë nuk e dimë. I mirëkuptoj ata që kanë dyshime, dhe me të drejtë ndoshta, sepse Panuçi ende nuk ka lënë gjurmë si trajner. Mbetet për t’u parë se si do të ecë te Shqipëria. Ka shumë uri sepse është i ri, por ka mungesën e përvojës që mund t’ia vështirësojë disi punën.

A nuk do të ishte më mirë që FSHF të zgjidhte një trajner më ekspert?

Është shumë relative në këtë moment. Nuk mund ta paragjykojmë Panuçin. Ka shumë trajnerë të rinj që po befasojnë në Europë dhe një ndër ta, është edhe trajneri aktual i Hofenhaimit, i cili është afro 30 vjeç… E kaluara na ka mësuar se trajnerët me eksperiencë menaxhojnë më mirë ekipet, por ky nuk është një standard i pandryshueshëm, ka plot përjashtime. Panuçi mbetet për t’u parë dhe uroj që të arrijë objektivat.

A mund të përsërisë ai arritjet e De Biazit?

Ja ky është problemi, që gjatë gjithë kohës do të krahasohet me të… Kjo nuk e ndihmon shumë në punën e tij, megjithëse një trajner duhet të dijë të përballojë edhe presionin. Megjithatë, ka shumë “nëse” sa i përket kualifikimit apo jo në Europian. Varet se çfarë grupi do të ndërtojë, sa do harmonizohet ekipi, sa e bashkuar do jetë skuadra dhe mbi të gjitha, varet edhe se çfarë fati do të kemi në shortin e Europianit… Ka shumë “nëse” dhe jo çdo gjë do të varet nga Panuçi apo nga skuadra.

Taulant Xhaka ka refuzuar ta takojë Panuçin pak ditë më parë, ç’ndjesi ju la ky veprim i mesfushorit?

Jam informuar nga media për këtë ngjarje. U befasova të them të drejtën. Nuk kishte arsye që Xhaka të mos takonte trajnerin e ri. Ose nëse ka pasur, duhej të kishte qenë transparent me publikun. Nuk e kuptova, por më duket një gabim i Xhakës. Trajneri i ri, kushdo qoftë ai, duhet mbështetur.

Aq më tepër nëse ai vjen të të takojë, atëherë minimalisht duhet të tregosh respekt dhe ta takosh, pavarësisht vendimit që mund të kesh marrë në lidhje me Kombëtaren. Ishte pa kuptim ajo sjellje, sepse nuk i shërben as harmonisë në grup. Për fat të keq, Xhaka e ka rast të përsëritur.

JETMIR HALILAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"