Lako: Bëhemi “mur”, nuk pësojmë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 5, 2012 | 11:31

Lako: Bëhemi “mur”, nuk pësojmë

Dita e sotme është vendimtare për Pogradecin, i cili do të luajë sot një pjesë të konsiderueshme të mbijetesës në Superiore. Ekipi duhet të bëjë të pamundurën për të arritur një rezultat të kënaqshëm. Ndërkaq liqenorët nuk janë në momentin e tyre më të mirë. Kështu, mbrojtësi Nexhat Drazhanin është pezulluar deri në fund të kampionatit, mirëpo do të ndihet edhe mungesa e Begajt dhe Shehajt, të cilët vazhdojnë të jenë të dëmtuar. Nga ana tjetër, një Teutë tepër e fuqishme mendohet që të përballohet me lojë dhe përkushtim. Ndërkaq, dihet që Apolonia në sfidën direkte me Skënderbeun do ta ketë shumë të vështirë dhe në ndeshjen e fundit më të lehtë, ndoshta edhe afërsia gjeografike me Beratin do të bëjë të vetën. Kështu që liqenorët i tremben asaj që do të ndodhë midis këtyre ekipeve. Mbeten edhe shumë pak orë për këtë përballje, ndaj liqenorëve më shumë se herët e tjera u duhet të shkarkojnë emocionet që të jep një takim i tillë. Njëri prej mbrojtësve të Pogradecit, Stavrion Lako, për “Panorama Sport” shprehet: “Vërtet kam një karrierë të gjatë futbolli, por ky takim më duket mjaft i vështirë, mbasi do të përballemi me një ekip që i ka dhënë tonin kampionatit dhe mbi të gjitha ka dhe synimet e veta për të arritur majën e renditjes. Krahas sfidës me Teutën, ne presim dhe takimin e fundit në Pogradec me Skënderbeun, i cili udhëheq renditjen. Jemi dënuar mjaft rëndë dhe mbi të gjitha gjatë kësaj faze pësuam një gjendje shoku, nga ku nuk po e marrim dot veten. Duhet të mendojmë për mbijetesën. Ajo do të arrihet kur ne të luajmë grup dhe të jemi shumë më tepër sulmues. Në asnjë mënyrë nuk duhet të lejojmë që të pësojmë gol, prandaj duhet të bëjmë të pamundurën, pasi Teuta ka një sulm të rrezikshëm”, – përfundon mbrojtësi.
Pëllumb Starova

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"