Lajme të mira për Resulin, Flamurtarit i rikthehen dy futbollistë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2020 | 14:03

Lajme të mira për Resulin, Flamurtarit i rikthehen dy futbollistë

Nuk ka më dyshime. Shpëtim Moçka dhe Andi Ribaj do të vijojnë të luajnë për Flamurtarin, ashtu siç pohonte për gazetën pak ditë më parë trajneri Dritan Resuli. Të dy lojtarët kanë dalë dje në stërvitje me skuadrën vlonjate, pasi kanë arritur marrëveshjen me administratorin Sinan Idrizi. Edhe pse e vonuan pak rikthimin, i rëndësishëm është fakti që ata do të qëndrojnë në Vlorë.

RIBAJ

Ndeshjen e fundit miqësoren me Orikun ata e ndoqën nga tribuna qendrore, duke e “ngrohur” ambientin futbolldashës vlonjat. Me rikthimin e Moçkës zgjidhet problemi i madh i portës për Flamurtarin, pasi i riu Alimuçaj, pavarësisht talentit, nuk mund të garantonte përballimin e një kampionati të gjatë dhe të vështirë si ky i Kategorisë së Parë. Po ashtu, edhe sulmi do të ketë një lojtar me peshë dhe përvojë si Andi Ribaj.

ÇMAJÇANIN&CO – Rikthehet edhe Tarik Çmajçanin. Mesfushori duket se ka arritur akordin me Flamurtarin dhe është rikthyer në Vlorë, ku i është bashkuar ekipit dhe pritet të firmosë kontratën. Edhe serbi është një lojtar i rëndësishëm, për shkak të eksperiencës që ka pasur në kampionatin shqiptar me Teutën.

Flamurtari Mocka

Te Flamurtari është afruar tashmë edhe Burak Menga. Akordi është arritur, por edhe ai është në pritje të firmës. Në Vlorë po stërviten edhe gjirokastritët, Alvi Ahmetaj dhe Stiven Puci, ndërsa organika plotësohet me të rinjtë vlonjatë dhe brazilianët e sezonit të shkuar, Henrike Ramos dhe Indio Oliviera.

STAFI TEKNIK – Lëvizje në stafin teknik të Flamurtarit. Largohet pas shumë vitesh përgatitësi i portierëve, Luan Birçe, “i paprekshmi” dhe njeriu i emergjencave që ka punuar me shumë trajnerë te kuqezinjtë, por tashmë ka ardhur koha e “divorcit”. Birçe zëvendësohet nga Erjon Dine, ish-portier i Flamurtarit, Apolonisë dhe Himarës. Dine kthehet te Flamurtari, por këtë herë si përgatitës i portierëve.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"