Lajme të këqija për PSG-në, Tuhel zbulon sa do të mungojë Nejmar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 31, 2020 | 12:30

Lajme të këqija për PSG-në, Tuhel zbulon sa do të mungojë Nejmar

Ylli i PSG-së, Nejmar Zhunior, do të mungojë deri pas ndeshjeve të kombëtareve në muajin nëntor pas tërheqjes muskulore që pësoi në muskujt e aduktorit. Sulmuesi brazilian u lëndua në fitoren 2-0 të parisienëve në Stamboll kundër Bashakshehirit në javën e dytë të Champions-it dhe u detyrua të lërë fushën në pjesën e parë, kur rezultati ishte ende 0- 0. Trajneri Tomas Tuhel konfirmoi se Nejmar do të qëndrojë disa javë jashtë.

Nejmar

“Jemi të trishtuar. Ai ka një dëmtim të vogël në aduktorin e tij. Do të rikthehet pas pushimit të kombëtareve. Nuk mendoj se mund të luajë për Brazilin. Informacioni që kemi është se do të rikthehet pas pushimit”, deklaroi trajneri gjerman. PSG pritet të luajë tre ndeshje pa një prej lojtarëve kryesorë të sulmit.

Nejmar do të humbasë ndeshjet e kampionatit kundër Nantës dhe Ren, por me shumë mundësi edhe javën e tretë të Ligës së Kampioneve, kundër Lajpcigut. Kampionët e Francës shpresojnë që ta kenë sërish 28-vjeçarin në dispozicion për sfidën e kampionatit kundër Monakos më 20 nëntor.

Këtë sezon, Nejmar ka humbur edhe dy ndeshje të tjera pasi u infektua me Koronavirus. “Ishte e nevojshme ta zëvendësonim. Tani duhet të presim diagnozën. Nuk ishte dhimbje e madhe, por e bezdisshme. Për shkak të kalendarit të ngjeshur, kjo mund t’i kushtojë atij disa ndeshje”, tha Tuhel pas fitores në Stamboll.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"