Lajme të këqija për Bylisin, Ndreca nxjerr bërrylin dhe do mungojë 10 ditë. Operohet sërish sulmuesi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 14, 2020 | 8:36

Lajme të këqija për Bylisin, Ndreca nxjerr bërrylin dhe do mungojë 10 ditë. Operohet sërish sulmuesi

Edison Ndreca krijoi ankth dhe panik në Laç. Ishte duke u luajtur shtesa e pjesës së parë, kur mbrojtësi u përplas me reklamat e montuara në murin rrethues të stadiumit. Lojtari ka lënë fushën me barelë dhe me urgjencë u dërgua për në spitalin e qytetit nga autoambulanca. Pas kontrolleve fillestare dhe ndihmës që mori nga stafi mjekësor, pas 20-25 minutash u rikthye në stadiumin “Laçi” për të ndjekur pjesën e mbetur të ndeshjes dhe festuar në fund kualifikimin. 

bandicam 2020-02-12 14-33-48-979

E megjithatë, klubi nuk e la me kaq. Mbrëmjen e së mërkurës ai ka bërë sërish grafi, ndërsa dje ka kryer një tjetër vizitë për të zbuluar shkallën e dëmtimit. Zyrtarisht, 25-vjeçari ka nxjerrë bërrylin nga vendi. Atij i është këshilluar regjim absolut për të paktën 10 ditë dhe gjatë kësaj kohe krahun e ka të lidhur me fashë. E thënë ndryshe, mirditori nuk do të jetë në fushë kundër Kukësit. Kjo është pak, por e sigurt. Shpresohet që rikuperimi të vijë shpejt dhe të mos humbasë më shumë ndeshje se kaq, ndonëse rreziku ekziston. Jo gjithçka është në dorën e lojtarit, por nga forma se si do të reagojë krahu. Gjithsesi, në fillim të javës së ardhshme do të bëjë një tjetër grafi për të parë se si do të jetë gjendja.

ndreca

Deklarata e Ndrecës

Gazeta “Panorama Sport” mundi që t’i shkëpuste një deklaratë të shkurtës Edison Ndrecës për atë dëmtim të rëndë që pësoi të mërkurën. Ai ndihet falënderues që gjithçka u mbyll me kaq, ndonëse ndien keqardhje që do t’i duhet të bëjë një shkëputje të paktën 10-ditore në momentin e tij më të mirë. “Isha në formën time më të mirë, por futbolli kështu e ka. Nuk ha dot inat me fatin. Pësova një dëmtim vërtet të rëndë. Fillimisht mendova se do të ndalesha nga reklamat anësore, por isha në vrapim e sipër dhe forca e trupit më shtyu që të shembesha dhe të pësoja një dëmtim edhe më të rëndë. Gjithsesi, qoftë me kaq. Do më duhet që të qëndroj dhjetë ditë pushim absolut dhe gjatë kësaj periudhe do të jem në kontrollin e vazhdueshëm të mjekëve për të parë rikuperimin, pasi kam pasur lëvizje të bërrylit”, u shpreh mbrojtësi i linjës së majtë.

beji antoni

Antoni, sërish në sallë 

Beji Antoni është totalisht i pafat. Afrikanit i është dashur që të kryejë një tjetër ndërhyrje kirurgjikale në ligament tri ditë më parë. Edhe pse u operua në muajin shtator, nuk ka rezultuar fort efikase. Nigeriani u rikthye në fushën e lojës, por jo për pak kohë (ai mundi që të luante vetëm ndeshjet me Laçin dhe Luftëtarin në kampionat). Sulmuesi është futur sërish në sallë, pasi krociati duhet të pastrohej. Me këtë ndërhyrje të dytë, zyrtarisht ai e ka mbyllur sezonin 2019-2020. Nëse gjithçka shkon mirë, në verë ai do të jetë nën urdhrat e stafit teknik.

ERJON SALIU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"